Elhad Ramazani alias (Hyseni), djali i viktimës Ritvan Ramazani është personi që ka orientuar policinë e Shkodrës, për identifikimin dhe zbardhjen e motiveve të vrasjes me 30 plumba të babait të tij në 28 nëntor 2020 në Shkodër. “Ora News”, zbardh ekskluzivisht rrëfimin e djalit të viktimës dhënë para policisë, rrëfim i cili ka çuar më pas në zbardhjen e identitetit të vrasjes që tronditi Shkodrën.

Elhad Ramazani, ka treguar se kishte fërkuar makinën e tij me një mjet të vjetër në një nga rrugët e Dajçit. Por sipas tij,teksa ishte duke u sqaruar me pronarin e makinës që kishte fërkuar mjetin, aty kishin shkuar disa persona, të cilët Elhadi i njihte dhe sipas tij ata e kishin kërcënuar dhe ofenduar me fjalë të rënda.

“…në datën 28 nëntor 2020 unë kam dalë nga banesa rreth orës 08:30 me mjetin tim dhe jam nisur për të ikur në Tiranë, pasi e kisha lënë për një kafe me dikë. Në Dajç, pa shkuar tek rruga kryesore, jam fërkuar me një mjet tjetër. Ky mjet ishte Benz, tip i vjetër me ngjyrë të zezë. Në kohën që unë po bisedoja me këtë person, aty ka kaluar një mjet tjetër. Në këtë mjet ishin dy persona të cilët i njoh si fytyra që janë banor të zonës tonë, por si emra s’më kujtohen.

Kur unë po bisedoja me atë burrin e vjetër, ata kanë ndaluar me mjetin e tyre dhe duke qenë se i njoh më janë drejtuar mua, duke më ofenduar me fjalë fyese ndërsa më pas jam nisur për në banesë. Kur kam dalë nga shtëpia, babain e kam lënë në gjumë. Ndërsa kur jam kthyer e kam gjetur të dalë, unë si kam treguar babait për konfliktin që kisha bërë. Se kush i ka treguar atij nuk di gjë…”-ka pohuar në polici Elhad Ramazani.

Ky i fundit tashmë është një nga dëshmitarët kryesorë të prokurorisë së Shkodrës, ndërkohë hetimet dhe kontrollet e policisë vijojnë për lokalizimin dhe arrestimin e dy vëllezërve Duel dhe Hydajet Muhamedaj.

Për atentatin në 28 nëntor 2020 kundër Ritvan Ramazanit, momentalisht është arrestuar Miljor Gjoka dhe dy persona të tjerë punonjës të karburantit, që akuzohen për “Moskallëzim krimi”.