Verdho blen pajisje me “flamur të kuq”, tenderi prej 517 mijë euro i KESH, fituese kompania e vetme në “garë”
Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka dhënë tenderin e radhës në mungesë të konkurrencës. Në prokurimin me vlerë 517 mijë euro për blerje pajisjesh për Hidrocentralin e Fierzës ka marrë pjesë vetëm një subjekt, i cili është shpallur edhe fitues nga KESH me ofertën sa 99% të vlerës së tenderit.
Tenderët e dyshimtë nuk kanë ndalur as tek Korporata Elektroenergjitike Shqiptare.
Në fillim të shkurtit KESH ka mbyllur kontratën për blerjen e pajisjeve dhe pjesëve rezervë për mirëmbajtjen në Hidrocentralin e Fierzës.
Në prokurim janë shpenzuar 517 mijë euro dhe për të ka shfaqur interes vetëm bashkimi i operatorëve “A&E” dhe “DIVITECH”.
Duke mos pasur konkurrent të tjerë në garë, KESH e ka shpallur fitues. Për më tepër që subjekti në fjalë ka kërkuar sa 99% të fondi të parashikuar dhe pajisjet do të dorëzohen brenda 12 muajve që nga nënshkrimi i kontratës.
Procedura është shënuar me Flamurin e Kuq edhe nga Open Procurment me shënimin e mungesës së konkurrencës.
Institucioni që drejtohet nga Ergys Verdho është akuzuar shpeshherë nga politika për prokurimet e dyshimta.
Më të fundit ishin para 3 ditësh mbi garën për blerje energjie afatgjatë për 3 deri në 5 vite, me çmim fiks në një kohë kur çmimi në bursë janë tejet të luhatshme dhe prodhimi vendas është përmirësuar.