Veliaj s’tërhiqet nga tenderat pa garë, vetëm një subjekt pjesëmarrës në tenderin prej 16.7 milionë lekësh

Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit në bashkinë e Tiranës nuk i ndal tenderat pa garë, pavarësisht denoncimeve apo konstatimeve të shpeshta.

Janë 16.7 milionë lekë apo rreth 150 mijë euro që do të jepen në një prokurim ku ka marrë pjesë vetëm një pjesëmarrës dhe automatikisht edhe fituesi.

Bashkimi i operatorëve “Al-Mexwood & Meteo ” rezulton të ketë kërkuar vetëm 80 mijë lekë më pak nga fondi që kishte në dispozicion institucioni në varësinë e Erion Veliaj.

Por çfarë punimesh do të ofrojë kompania.

Bëhet fjalë për përmirësimin e infrastrukturës në fshatrat Pezë, Sheshë, Baldushk, Rove-Lunxhë, Krrabë-Gurrë, Zall-Herr-Priskë.

Madje edhe për këtë janë paraqitur foto të situatës atuale, ku akset janë të dëmtuara ndjeshëm, madje në disa momente shfaqet edhe asfalti i 30 viteve më parë.

Në fakt nisma do të ishte e mirë nëse asfalti do të mbërrinte në zonë, por sipas projektit bëhet fjalë për gërmim dherash dhe hedhje të zhavorrit, çka do të sillte degradimin e shpejtë të tyre.

Por po ashtu në projekt parashikohet të prihen 542 pemë të shkulen 6810 shkurre dhe të shtrohen 20624 metër katror zhavorr lumi.

Afati i zbatimit do të jetë deri në 31 dhjetor të  këtij viti dhe bëhet fjalë për rreth 22. 7 kilometër.

EMISIONET