Ura mbi lumin Bunë do të afrojë edhe më shumë Shqipërinë dhe Malin e Zi
Afrohet Shqipëria dhe Mali i Zi, qeveria miraton projektligjin për ndërtimin e urës mbi lumin Bunë
Mbi lumin Bunë do të ndërtohet ura që do të lidhë e të afrojë më shumë Shqipërinë me Malin e ZI. Kostot do të ndahen mes dy vendeve.
Në mbledhjen e qeverisë u vendos edhe detyrimi i punësimit të personave më aftësi të kufizuar, ndërsa në prill pritet të vendoset edhe skema e mbështetjes financiare nga taksa e jashtëzakonshme.
Në mbledhjen e qeverisë është miratuar projektligji për ratifikimin e marrëveshjes mes dy vendeve.
Dhe përmes kësaj lidhje do të shkurtohen koha e frekuentimit të plazheve të dy vendeve.
Investimi pritet të shkoj në 1.5 miliardë lekë dhe kostoja do të ndahet në mënyrë të barabartë mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.
“Dy vendet kanë një vijë bregdetare afërsisht 24 km dhe vizitorëve iu duhet të përshkruajnë 73 km, ose 1.5 orë me mjete sepse duhet të kalojnë përmes Pikës së Kalimit Kufitar Murriqan. Ndërkohë që me ndërtimin e Urës së Bunës prej 310 m, kjo distancë shkurtohet në 2 minuta”, tha Balluku.
Qeveria vendosi gjithashtu këtë të hënë që të detyrojë sektorët publik dhe privatë për të punësojnë persona me aftësi të kufizuar, ose në të kundërt duhet të paguajnë pagën dhe sigurimet e tyre në mungesë.
Ibrahimaj: Miratuam një ndryshim një ligjin për nxitjen e punësimit, vendosjen e barazisë për çështjet sociale. Lidhet me fondin social të punësimit, të gjithë bizneset me numër të lartë të punësuarish duhet me detyrim të punësojmë persona me aftësi të kufizuar. Kjo bëhet fjalë për të gjithë punëdhënësit që kanë numra të lartë punësuarish.
Mbledhja e taksës së jashtëzakonshme pritet të përfundoj në fund të marsit, e më pas do të mendohet për skemën e shpërndarjes, deklaroi ministrja e Financave Delina Ibrahimaj.
Lidhur me vendimin për shfuqizimin e bordit transparencës, ministrja Ibrahimi i qëndron mendimit se ajo strukturë ishte e domosdoshme për të mbajtur nën kontroll çmimet.
“Nuk kemi dashur të ndërhyjmë në forcat e tregut, por duke parë që kishte luhatje që nuk reflektonin realisht rritjen e çmimeve të tregut dhe me qëllim të evitonim abuzimin nga ana e tregtarëve, vendosëm të ndërhyjmë. Ndërhyrja jonë ka qenë efektive në reduktimin e marzheve të fitimit dhe uljen e çmimit për konsumatorët”, tha Ibrahimaj.