The Economist: Pastrimi i parave lulëzon në Ballkan, si po i rrit çmimet e apartamenteve në Tiranë

Paratë e drogës të investuara në pasuri të patundshme kanë dyfishuar çmimet e tyre dhe vitin e kaluar mendohet se rritën edhe shitjet e apartamenteve në Shqipëri, me gjithë kufizimet e tregut prej pandemisë. Pastrimi i parave të pista është fenomen për rajonin e Ballkanit.

Ndërtimi në rajonin e Ballkanit vazhdon të shfrytëzohet më shumë se çdo sektor tjetër për larjen e parave të fituara në rrugë të paligjshme.

Paratë e pista të investuara në pronat e paluajtshme vlerësohet se krahasuar me vitin 2017, e kanë dyfishuar artificialisht çmimin e apartamenteve në Tiranë, Prishtinë dhe Beograd, dhe po e çrregullojnë tregun.

Revista britanike "The Economist" raporton për një lulëzim të kullave të reja shumëkatëshe në kryeqytetin shqiptar.

Megjithëse u godit nga pandemia, në vitin 2020 në Shqipëri pati një rritje me 6,7 për qind të shitje-blerjeve të pasurive të paluajtshme.

Sipas raportit të fundit të Nismës Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, një nga arsyet e rritjes është pastrimi i parave të drogës, kryesisht nga trafikimi i kokainës.

Korruptimi i zyrtarëve të shtetit luan tjetër rol dhe fenomeni nuk luftohet edhe pse të gjitha vendet e Ballkanit disponojnë legjislacionin e duhur.

"The Economist" citon një emigrant shqiptar nga Vlora, i cili pasi ka ndërtuar blloqe banesash në qytetin bregdetar, tani thotë se e ka të pamundur të zhvillojë projekte të tjera pasi i kërkojnë ryshfet në këmbim të lejeve të ndërtimit.

Korrupsionin e zhvillojnë edhe krerët më të lartë, dhe vetëm pak ditë më parë prokurorët maqedonas akuzuan ish-kryeministrin Nikola Gruevski me veprën e pastrimit të parave të partisë së tij VMRO për të blerë prona të paligjshme, të paregjistruara në emrin e vet.

Fatjona Mejdini, një nga autoret e raportit për krimin e organizuar në Ballkan, tregon se qeveritë e rajonit janë në mëdyshje për paratë të pista, pasi nga njëra anë duan ta luftojnë fenomenin, por vlerësojnë se ai njëkohësisht u sjell ekonomive vende pune dhe investime që nuk do i garantohenin dot në rrugë të tjera.

EMISIONET