Tatimi i profesioneve të lira, DPT sqaron si përditësohet kodi ekonomik për bizneset

Tatimi i profesioneve të lira, DPT sqaron si përditësohet kodi

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve informoi sot përmes një videoje tatimpaguesit që nuk ofrojnë shërbime profesionale se duhet të përditësojnë kodin ekonomik të aktivitetit të tyre për një tatim të drejtë në kuadër të zbatimit të ligjit të ri të tatimit mbi të ardhurat.

“Nëse nuk ofroni shërbime profesionale sipas përcaktimeve të VKM, por ndërkohë figuroni të regjistruar si shërbim profesional, përditësoni ONLINE kodin ekonomik të aktivitetit për tatim të drejtë në zbatim të ligjit të ri të “Tatimit mbi të Ardhurat””, bën të ditur DPD.

Me ligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat” nga janari 2024 do të tatohen edhe disa profesioni aktiviteti i të cilëve është me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë. Përfshihen mjekët, juristët, inxhinierët e IT, avokatët, dentistët, etj., që ofrojnë shërbime profesionale, pavarësisht formës ligjore.

Edhe nëse biznesi juaj është i regjistruar prej vitesh për të kuptuar që duhet të paguani tatim duhet të verifikoni kodin ekonomik, i cili duhet të jetë i përshtatur me aktivitetin që ushtroni.

Kodi gjendet në llogarinë personale e-filing, ku deklarohen tatimet. Tatimpaguesi verifikon kodin në listën e publikuar në faqen e tatimeve dhe e ndryshon nëse është i pasaktë.
Tatimet shpjegojnë si bëhet ndryshimi i kodit.

“Tatimpaguesi gjen kodin ekonomik që përputhet me aktivitetin e tij dhe e përditëson në shërbimet online dhe e-Albania në opsionin: aplikim për ndryshim të personit fizik, më pas: aplikim për ndryshime në të dhënat e regjistrimit për shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar (SHPK)”, sqarohet në videon e shpërndarë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Kodi ekonomik për bizneset e profesioneve të lira sipas shërbimeve të ofruara gjendet në listën analitike të vendimit të qeverisë e botuara në Fletoren Zyrtare më dhjetor 2023.
Lista për profesionet e lira është e ndarë në 26 lloje aktivitetesh, dhe përmban 262 profesione.

Sipas vendimit, në rastet kur tatimpaguesit nuk janë të qartë në lidhje me kategorizimin e veprimtarisë ekonomike që ushtrojnë, apo për normën e tatimit mbi të ardhurat në lidhje me veprimtarinë e tyre, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, bazuar në Nomenklaturën e Veprimtarive përcakton ndarjen dhe aktivitetin në të cilën bën pjesë tatimpaguesi përkatës

Sipas ndarjes në aktivitete në taksimin e ri do të përfshihen llojet e veprimtarisë, si: Filma, video dhe prodhimi i programeve televizivë, regjistrimi i zërit dhe aktivitete të prodhimit të muzikës; shërbime të teknologjisë së informacionit; aktivitete të shërbimit të informacionit; aktivitete të shërbimeve financiare, përveç sigurimeve dhe financimit të pensioneve; sigurimi, risigurimi dhe financimi i fondeve të pensioneve, përjashtuar sigurimin shoqëror të detyrueshëm; aktivitete ndihmëse të ndërmjetësimit financiar përveç sigurimit dhe financimit të pensioneve; aktivitete të pasurive të paluajtshme; aktivitete juridike dhe të kontabilitetit; aktivitete arkitekture dhe inxhinierike; aktivitete të kontrolleve dhe analizave teknike; publiciteti dhe kërkimet e tregut; aktivitete të tjera profesionale, shkencore dhe teknike; aktivitete veterinare; aktivitete të marrjes e dhënies me qira; aktivitete të punësimit; agjenci udhëtimi, operator turistik dhe të tjera aktivitete të shërbimit të rezervimit; administrim zyrash mbështetje administrative dhe të tjera aktivitete mbështetëse; administrimi publik dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; aktivitete të shëndetit; aktivitete të qendrave të kujdesit mjekësor e social; aktivitete të kujdesit social pa akomodim; aktivitete krijuese; arte dhe aktivitete çlodhëse; aktivitete sportive argëtuese dhe çlodhëse; aktivitete të tjera shërbimi.

EMISIONET