Tatimet: Individët që nuk ngarkuan faturat e fiskalizuara mund të riaplikojnë për kompensimin e shpenzimeve për fëmijët

Individët që kanë aplikuar për përfitimin e kompensimit nga zbritja e shpenzimeve arsimore për fëmijët, por nuk kanë ngarkuar faturat e fiskalizuara në sistem, mund të riaplikojnë duke plotësuar dokumentacionin e nevojshëm.
Administrata Tatimore ka nisur njoftimin e aplikuesve, kërkesat e të cilëve janë refuzuar pas verifikimit të dokumentacionit, për shkak të mungesës së faturave tatimore që justifikojnë shpenzimet arsimore.
Sipas sqarimeve të administratës tatimore, refuzimi i aplikimit nuk sjell humbjen e të drejtës për përfitimin e kompensimit, në rast se individët disponojnë faturat e fiskalizuara përkatëse. Ata mund të paraqesin një kërkesë të re, duke ngarkuar dokumentacionin justifikues sipas procedurave të përcaktuara nga Drejtoritë Rajonale të Tatimeve.
Në njoftimin e dërguar ndaj aplikuesve, Tatimet theksojnë se përfitimi i zbritjes nuk mund të miratohet pa paraqitjen e faturave tatimore të fiskalizuara, në përputhje me legjislacionin në fuqi për tatimin mbi të ardhurat.
Përfitues të kësaj skeme janë individët me të ardhura bruto vjetore deri në 1,2 milionë lekë dhe me fëmijë në ngarkim. Përveç zbritjes prej 48 mijë lekësh për çdo fëmijë nën moshën 18 vjeç, kjo kategori ka të drejtë të përfitojë edhe zbritje të shpenzimeve arsimore deri në 100 mijë lekë, me kusht që këto shpenzime të dokumentohen me fatura të fiskalizuara.
Vlera e kompensimit mund të arrijë deri në rreth 250 euro për familjet që plotësojnë kushtet për të dyja kategoritë e zbritjeve.
Ndërkohë, Administrata Tatimore nisi në fund të muajit maj procesin e rimbursimit të tatimit për individët përfitues që kanë deklaruar një ose dy fëmijë në ngarkim në Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA) 2025.
Sipas të dhënave zyrtare, përfitues nga ky proces janë 34.263 individë, ndërsa vlera totale e tatimit të rimbursuar llogaritet në 517,7 milionë lekë.
Administrata Tatimore bën të ditur se inspektorët tatimorë po asistojnë individët, aplikimet e të cilëve janë refuzuar, për procedurat e riaplikimit dhe ngarkimit të dokumentacionit të nevojshëm në sistem.


