Shtohen edhe 50 barna të rimbursueshme, Koçiu: 550 mijë qytetarë përfitojnë medikamente falas
Zgjerohet mbulimi me barna të kushtueshme për sëmundjet e ndryshme dhe të rënda, që ishin barrë e madhe financiare për qytetarët.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha se, “listës së Barnave të Rimbursueshme i janë shtuar 50 medikamente të reja nga të cilat 38 principe aktive të reja dhe 12 forma doza të reja”.
Koçi bëri të ditur se, 550 mijë qytetarë përfitojnë medikamente falas.
Ministrja shprehu angazhimin për vijimin e përmirësimit të kujdesit shëndetësor për qytetarët në të gjithë vendin.
“Këto përditësime rrisin numrin e qytetarëve përfitues për trajtimin e patologjive të ndryshme, ku përveç risive, vëmendje të veçantë u është dhënë disa diagnozave onkologjike deri tani të pambuluara, duke siguruar më shumë opsione terapeutike për trajtim efikas të pacientëve”, tha Koçiu.
Sipas saj, të gjitha këto barna të reja të shtuara në listën e medikamenteve të rimbursueshme, e çojnë listën në rreth 1345 medikamente që rimbursohen nga buxheti i shtetit.