Shqiptarët s’kanë besim te ekonomia

Shqiptarët nuk besojnë tek përmirësimi i situatës ekonomike në vend. Kjo pasi brenda 4 muajve të fundit është shënuar rënia e katërt e treguesit të besimit në ekonomi. Banka e Shqipërisë raporton se rënie të konsiderueshme ka paraqitur treguesi i besimit në ndërtim me 7.2 përqind, e vijuar nga rënia e besimit tek industria, ku treguesi u pakësua me 4.8 përqind.

Për të katërtin muaj radhazi, besimi i bizneseve dhe konsumatorëve pëson rënie të konsiderueshme.

Banka e Shqipërisë raporton se treguesi i ndjesisë ekonomike vijoi rënien me dy pikë në muajin tetor të këtij viti.

Ndërkaq, të gjithë sektorët e ekonomisë në tetor shfaqën tendencë rënieje, përpos treguesit të besimit të konsuimatorëve që paraqiti një rritje të lehtë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, treguesi i besimit të industrisë u pakesua me 4.8 pikë përqindje, krahasuar me muajin e kaluar, i ndikuar nga rënia e të gjithë treguesve për situatën aktuale, ku veçohen rënia e balancës për prodhimin aktual dhe ajo e kontratave porositëse.

Ndërkohë, pritjet e bizneseve për prodhimin dhe punësimin në të ardhmen janë në rritje dhe ato për çmimet e pritura janë në rënie.

Treguesi i besimit në ndërtim ra me 7.2 pikë përqindje në muajin tetor, duke regjistruar pakësim të treguesit për të dytin muaj radhazi.

Ky zhvillim u ndikua nga përkeqësimi i balancave për aktivitetin ndërtues dhe për kontratat porositëse.

Rënie regjistruan edhe pritjet për punësimin.

Treguesi i besimit në shërbime shënoi rënie të lehtë me 1.1 pikë përqindje në muajin tetor, ndikuar nga performanca më e dobët e treguesit të ecurisë së biznesit.

Treguesi i besimit në tregti ndoqi prirjen rënëse të evidentuar gjatë pjesës më të madhe të muajve paraardhës, duke rënë me 2.6 pikë përqindje në muajin tetor.

Treguesi u ndikua kryesisht nga vlerësimet më të dobëta për ecurinë aktuale të biznesit.

Treguesi i besimit konsumator rezultoi lehtësisht i përmirësuar me 0.6 pikë përqindje në muajin tetor, por duke mbetur larg mesatares afatgjatë.

Treguesi pasqyroi vlerësimin më pozitiv të konsumatorëve lidhur me blerjet në shuma të mëdha, si në periudhën aktuale, ashtu edhe në të ardhmen.

Konsumatorët vlerësojnë me rritje ecurinë aktuale të çmimeve, situatë e cila pritet të vazhdojë edhe në të ardhmen.

EMISIONET