Shqipëria "u mbyt" në borxhe

9.9 miliardë euro ka arritur stoku i borxhit të jashtëm në Shqipëri duke shënuar sërish një rritje. Për ekspertët borxhi aktual është në shifra larg normales për situatën ekonomike në vend. Madje ata shtojnë se situata rëndohet më shumë nëse llogariten detyrimet nga kontratat e PPP dhe të Arbitrazhit.

Borxhi i jashtëm i Shqipërisë ka arritur shifrat alarmante duke prekur në 9.9 miliardë euro, me një shtesë prej 1.4 për qind krahasuar me 6 mujorin e parë të vitit të shkuar.

Në një  intervistë për RTV Ora, eksperti i ekonomisë, Igli Tola, e cilëson shqetësuese situatën duke parë edhe krizën botërore.

"Nëse do filsnim për rrrezikun e borxhit publik, çdo ekonomi momentin që kalon 70-80% të borxhit në raport me GDP është një situatë alarmante".

Nëse huasë do t’i shtohen edhe detyrimet nga kontratat e Partneritetit Publik Privat apo dhe detyrimet nga pagesat e gjyqeve të Arbitrazhit,  shifrat do të flasin ndryshe.

"Nëse marrim në terësi të gjithë kontratat, PPP, por edhe detyrimet që ne kemi për gjyqet e humbura në Arbitrazh ndërkombëtar apo dhe gjyqet ndaj administratës publike nga ish-punonjës të shkarkuar mund të themi se borxhi publik kalon mbase dhe vlerën 100%."

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në rishikimin e buxhetit të shtetit ka hartuar një plan masash për të arritur në një konsolidim fiskal.

Por a është gati qeveria shqiptare për këtë?

"Përmes një konsolidimi fiskal do të shkojë drejt një rritje të transparencës me përdorimin e parave publike drejt një formalizimi të mëtejshëm të gjithë sektorit privat dhe publik  dhe një ekomimi në tranzicion si kjo e jona duket se nuk i përmbush kriteret fillestare për të shkuar drejt një konsolidimi fiskal".

Sipas dokumenteve zyrtare, 222 milionë euro është marrë hua gjatë gjashtë mujorit të parë të këtij viti, nga ku u shlyen rreth 169 milionë euro.

EMISIONET