Shpallet ankandi 8 miliard lekë për bono thesari, BSH: Nëse investoni 10 mln lekë, fitimi 403 mijë
Banka e Shqipërisë ka organizuar dy ankande me vlerë 8 miliard lekë për të investuar në bono thesari pas kërkesës së bërë nga qeveria. Interesat variojnë nga 4.57% për periudhën 6 mujore deri në 5.83% për afatin 1 vjeçar. Shuma minimale për të marrë pjesë në ankand është 300 mijë lekë.
Banka e Shqipërisë shpalli të premten dy ankande pas thirrjes së qeverisë për të investuar në bono thesari.
Në ankandin e parë janë kërkuar 1 miliard lekë në bono 6 mujore dhe 7 miliard lekë në bono 12 mujore.
Nga këto 8 miliardë lekë interesat respektive variojnë nga 4.57% për letrat me vlerë 6 mujore deri në 5.83% për 12 mujore.
Për të kuptuar se sa do të jetë vlera e përfituar, Banka e Shqipërisë paraqet një shembull.
Nëse një qytetar do të investojë 10 mln lekë për periudhën 1 vjeçare, me normë interesi prej 5%, shuma e fitimit e këtij investimi do të ishte 474.947 lekë.
Nga ky fitim, investitori në letra me vlerë do të taksohet 15% dhe fitimi neto që qytetari do të ketë në përfundim të afatit 1 vjeçar është një shumë prej 403 mijë lekësh.
Për pjesëmarrësit në ankad shuma minimale është 300 mijë lekë.
Investimi mund të kryhet në disa banka tregtare, gjithashtu dhe në Bankën e Shqipërisë në sportelet e saj në Tiranë, Shkodër, Elbasan, Korçë, Lushnje dhe Gjirokastër.