Sejko: Ndryshimet klimatike dhe plakja e popullsisë, sfidat e ekonomisë

Sejko: Ndryshimet klimatike dhe plakja e popullsisë, sfidat e

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi sot se një nga sfidat më të mëdha për ekonominë shqiptare është përmirësimi i produktivitetit dhe arritja e një niveli konkurrueshmërie të krahasueshëm me atë të vendeve të zhvilluara evropiane.

Gjatë një aktiviteti në një nga universitetet private në vend, Sejko theksoi se pavarësisht përmirësimeve të deritanishme, Shqipëria ka ende punë për të bërë për të pasur një strukturë ekonomike të orientuar drejt sektorëve me vlerë të lartë të shtuar.

Tjetër sfidë komplekse me pasoja jo vetëm në ekonominë shqiptare, por edhe në atë evropiane e globale, vuri në dukje ai, është plakja e popullsisë dhe mungesat në rritje e fuqisë punëtore.

“Ky proces ndikon si në tregun e punës, ashtu edhe në perspektivat afatgjata të rritjes ekonomike dhe të qëndrueshmërisë së sistemit të pensioneve dhe të borxhit publik”, tha Sejko.

Guvernatori po ashtu renditi si sfidë edhe ndikimin e ndryshimeve klimatike në sektorë kyç, si bujqësia dhe turizmi, të cilët shfaqin ndjeshmëri ndaj tyre.

Sipas tij, përveç ndikimit të drejtpërdrejtë në aktivitetin ekonomik dhe punësim, këta dy sektorë janë gjithashtu një potencial i madh për zhvillimin e ekonomisë shqiptare në të ardhmen.

Adresimi i këtyre sfidave, tha ai, kërkon një qasje të integruar dhe vizion strategjik. Ai renditi edhe disa hapa që, sipas tij, duhet të ndërmerren.

“Investimi për modernizimin e infrastrukturës fizike dhe digjitale, zhvillimi i kërkimit shkencor, përditësimi i filozofisë dhe praktikave menaxheriale dhe përmirësimi i klimës së biznesit në të gjitha dimensionet e saj do të rrisin produktivitetin dhe do të ndihmojnë në përballimin e konkurrencës në rritje, si në plan kombëtar, ashtu edhe rajonal e global”, tha Sejko.

Po ashtu, ai theksoi se investimi për zhvillimin e kapitalit njerëzor, nëpërmjet përmirësimit të sistemit arsimor dhe krijimit të programeve të specializuara për aftësimin profesional, është thelbësor për fuqizimin e kapitalit njerëzor. Sipas tij, krijimi i stimujve për rikthimin e diasporës dhe përmirësimi i kushteve të punës do të ndihmojnë në frenimin e largimit të të rinjve dhe në krijimin e një mjedisi që i nxit ata të ndërtojnë të ardhmen e tyre brenda vendit.

Tjetër hap, sipas Sejkos është shfrytëzimi optimal i pasurive natyrore të vendit, përfshirë resurset energjetike, minerare, bujqësore dhe turistike, gjë që siç theksoi ai, kërkon një strategji të mirëmenduar dhe koordinuar, për të shmangur pasojat e ndërsjella negative.

“Kjo strategji duhet të orientojë më tej politikat e zhvillimit publik, burimet sipërmarrëse e financiare të sektorit privat, si dhe një shpërndarje sa më eficiente të flukseve të kredisë bankare”, tha Sejko.

Guvernatori vlerësoi se vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend ka shënuar një rritje kumulative prej 18,3% në krahasim me fundin e vitit 2019, punësimi dhe pagat janë rritur përkatësisht me 3,9% dhe 15,4%, ndërsa shkalla e papunësisë ka rënë në minimumin historik prej 10,7%.

Paralelisht me këto zhvillime, treguesit kryesorë ekonomikë dhe financiarë, si borxhi publik, borxhi i huaj dhe raporti i kredive me probleme, kanë treguar përmirësime të dukshme. Në veçanti, inflacioni është 3 herë më i ulët se në vitin 2022, duke zbritur në 2,2%, ndërkohë që treguesit e shëndetit të sektorit bankar janë në nivele pozitive.

“Të gjitha këto kanë mundësuar, ndër të tjera, edhe përmirësimin e vlerësimit të rrezikut të kreditit të Shqipërisë nga institucionet ndërkombëtare”, u shpreh ai.

EMISIONET