Satelitë me qira edhe për parcelat me kanabis, nënshkruhet marrëveshja e amerikanët, 5.5 milion $ në tre vjet

“Albania 1” dhe “Albania 2” do të hidhen në hapësirë muaji e ardhshëm, në dhjetor, ndërsa qeveria do t’i marrë ato me qira për një periudhë tre vjeçare me koston e 5.5 milion dollarëve. Kompania shkruan në faqen e saj se “Satellogic” do t'i mundësojë Shqipërisë të adresojë çështje të ngutshme që përfshijnë menaxhimin e bujqësisë, apo për mbjelljen e kulturave të paligjshme, duke nënkuptuar kanabisin.  

Satelitë me qira edhe për parcelat me kanabis, nënshkruhet

Shqipëria ka nënshkruar një kontratë tre vjeçare me kompaninë amerikane “Satellogic” për të marrë shërbime satelitore.

Në bazë të marrëveshjes së bërë publike, dy satelitë me flamurin shqiptar, të emërtuar “Albania 1” dhe “Albania 2”, do të hidhen në hapësirë muajin tjetër, në dhjetor.

Vitin e parë, për të marrë shërbimet, Shqipëria do të paguajë për kompaninë amerikane 2 milion dollarë, duke vijuar me 1 milion e 750 mijë për secilin nga dy vitet e ardhshme, dhe në rast të zgjatjes së kontratës me një vit, sërish, 2 milion dollarë të tjera.

Kontrata e nënshrkuar mes palëve specifikon se qeveria shqiptare do të ketë të drejta të plota në përdorimin e satelitëve, por nuk mund të ndajë informacione me palë të treta pasi ka penalizime të forta për këtë nxjerrje të informacionit.

Dy satelitët shqiptarë do t’i bashkohen flotës së madhe të satelitëve SpaceX, të miliarderit amerikan Elon Musk që, kohët e fundit, me pëlqimin e Pentagonit, po ndihmon edhe Ukrainën në luftën kundër Rusisë.

Marrëveshja përfshin edhe sjelljen e trajnuesve nga kompania amerikane për identifikimin dhe klasifikimin e zonave bujqësore, gjurmët e ndërtimeve, zonat e prekura nga zjarri si dhe analizën e trafikut të makinave.

Në faqen e saj, kompania amerikane shkruan se “Satellogic” do t’i mundësojë Shqipërisë gjithashtu që të adresojë edhe çështje të ngutshme si mbjellja e kulturave të paligjshme, duke nënkuptuar hashashin, apo ndihmë në sigurinë kufitare, ku emigrantët sirianë që kalojnë në kufirin shqiptar janë kthyer në problem.

Marrëveshja parashikon se data e lëshimit është dhjetori i vitit 2022, por njësia qëndrore për të transmetuar imazhet dhe videot e kërkuara do të vendoset në qershor të vitit tjetër.

EMISIONET