Samiti rajonal i Ballkanit: Korridori blu, Korridori i tetë dhe hekurudha Durrës-Prishtinë

Në samitin rajonal të Ballkanit kryeministri Edi Rama e ka vënë theksin te lëvizja e lirë, duke e cilësuar "Ballkanin e Hapur" si një mundësi të mirë.

Nga ana tjetër ai renditi në fjalën e tij disa nga projektet që kërkohet mbështetja e Bashkimit Evropian. Dy korridoret ai blu dhe i teti, hekurudha por edhe porti sipas Ramës do ta kthejnë rajonin në kantier ndërtimi.

Edi Rama: "Ne jemi në një fazë të avancuar tanimë të punës për Korridorin Blu, një nga segmentet e këtij korridori është tanimë në rrugën e ndërtimit. Segmentet e tjera janë në fazën përfundimtare të daljes në tender ndërkombëtar dhe jemi shumë besimplotë që në harkun e këtij mandati të tretë qeverisës, ne do të shikojmë shumë frutet e këtij kantieri shumë të madh dhe mbase jo krejt përfundimin e këtij aksi kaq të rëndësishëm.

Nga ana tjetër, na vjen shumë mirë që Korridori 8 ka hyrë në agjendën e diskutimeve dhe sëbashku me Maqedoninë e Veriut, me qeverinë e Maqedonisë së Veriut, ne jemi të koordinuar dhe shpresojmë shumë që edhe për këtë projekt që nënkupton praktikisht një kantier në të dyja anët e kufirit, mbështetja e planit ekonomik të investimeve dhe institucioneve financiare nuk do të mungojë dhe as do të vonojë.

Ndërkohë, jemi duke finalizuar projektin e madh të Portit të ri të Durrësit, i cili praktikisht do të jetë porti i krejt Ballkanit Perëndimor dhe do të garantojë një aksesueshmëri shumë herë më të lartë me kushte absolutisht të tjera dhe më standarde tërësisht bashkëkohore, standarde të Bashkimit Europian për mallrat në të gjithë rajonin dhe përtej rajonit

. Kjo e kombinuar me hekurudhën Durrës-Prishtinë ndërkohë që mbas një kalvari të gjatë kemi mundur të zhbllokojmë dhe projektin e hekurudhës Tiranë-Durrës si dhe me portin e Thatë te Prishtinës, projekt të cilin ne do ta paraqesim në mbledhjen dy qeverive në fund të muajit qershor, do t’i japë një fuqi të madhe të re krejt rajonit'

Një tjetër risi sipas ramës do të jetë krijimi i rrugëve Smart në Shqipëri

"Së shpejti këtë vit finalizojmë qendrën e menaxhimit të integruar të trafikut dhe hyjmë në fazën e zbatimit të projektit të rrugëve “smart” me 200 kilometrat e para, projekt që do ta vazhdojmë vit pas viti dhe kemi ambicien që ta përfundojmë të tërin në një afat kohor të arsyeshëm"

Por edhe një herë nuk munguan vërejtjet ndaj sjelljes së vendeve të BE.

Edi Rama: "Të presësh nuk e di se sa vite për të bërë një segment hekurudhor nga Tirana në Durrës, që është një segment hekurudhor i një lagjeje të një metropoli të madh, për shkak të burokracisë në institucione europiane, kjo është diçka që realisht dhemb shumë dhe realisht krijon shumë frustrim dhe shkon komplet në të kundërt të qëllimeve të mëdha të përbashkëta dhe natyrisht edhe qëllimit të madh në vetvete të Bashkimit Europian për të inkurajuar sa më shumë që njerëzit tanë të qëndrojnë këtu."

Përplasjet për hapjen ose jo të negociatave të integrimit shfaqen edhe në fjalimet që mbahen në takime të përbashkëta.

Edi Rama: "Eshtë një sukses i madh gjithsesi që një përfaqësues i një vendi të Ballkanit të flasë më shkurt sesa përfaqësuesit e institucioneve financiare europiane"

Takimi i mbajtur në Tiranë vjen vetëm pak orë nga nisja e samit Open Ballkan që do të mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

EMISIONET