Rritet tatimi, Rama sheh zgjidhjen e krizës te biznesi i vogël
Ligji i ri i tatimit mbi të ardhurat propozon futjen në skemën e tatimit nga viti 2023 të bizneseve furnizues të shërbimeve kryesisht profesionale, ndërsa ruan skemën ekzistuese të tatimit me tarifë 0 % kryesisht të biznesit të vogël familjar, ku personat fizik dhe personat juridik me qarkullim deri në 14 milionë lekë, do të paguajnë 0% tatim përkatësisht mbi të ardhurat nga biznesi dhe mbi të ardhurat e koorporatës deri në vitin 2029.
Sipas një raporti që Ministria e Financave u ka nisur deputetëve të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, norma efektive e tatimit për të vetëpunësuarit në shërbime profesionale (avokat, konsulent, noter, etj) 9% të të ardhurave ose 12 % të fitimit neto të supozuar me të ardhura bruto vjetore 5 milionë lekë.
Ndërsa për prodhuesit, tregtuesit, baret e restorantet, që do të fillojnë të paguajnë nga viti 2029, norma efektive e tatimit do të variojnë nga 3-4.5% të të ardhurave. Për t’u lënë kohë profesionistëve të lirë, kësti i parë do të paguhet në tetor 2023 dhe i dyti në dhjetor 2023.
Sipas raportit të financave, përmes futjes së skemës së tatimit nga 1 Janari 2023 të bizneseve furnizues të shërbimeve kryesisht profesionale, adresohet fenomeni i identifikuar në lidhje me ofrimin e shërbimeve, kryesisht në profesione të lira. Ky fenomen i cili ka eroduar bazën e listëpagesave dhe ka krijuar pakënaqësi në radhët e të punësuarve me paga të mesme dhe të larta, në lidhje me politikat e tatimit që zbatohen për profesionet e lira, apo furnizuesit e shërbimeve të tjera në përgjithësi.
Përmes skemës së re synohet të dekurajohet shmangia e tatimit nëpërmjet kalimit nga marrëdhëniet e punësimit, në marrëdhëniet e biznesit si i vetëpunësuar si dhe të dekurajojë përdorimin e statusit të personit fizik dhe shkallës tatimore eksiztuese zëro të tatimit si një mekanizëm për zhvendosjen e fitimeve nga entiteti që taksohet me 15 %, tek personi fizik pa tatim.
Financat sqarojnë se sistemi progresiv me norma 15% dhe 23% për të ardhurat nga vetpunësimi dhe tregtia për personat fizikë është i nevojshëm pasi një kategori tatimpaguesish ruajnë statusin e personit fizik, për të shmangur tatimin mbi dividendin si ortakë të biznesit.