Rritet me 50 për qind paga e prokurorëve për orë shtesë dhe punë në ditë pushimi

Rritet me 50 për qind paga e prokurorëve për orë shtesë

Ndonëse Kodi i Punës e sanksionon prej vitesh se orët shtesë dhe ditët e pushimit duhet të paguhen shtesë deri në 100 për qind, duhet të bëhej një kërkesë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që qeveria të bëjë disa ndryshime për pagesat e prokurorëve për punën e kryer jashtë orarit.

Prokurori që ushtron funksionin në ditët e pushimit javor apo festave zyrtare, si dhe orët shtesë të kryera në orarin 22:00–06:00, për veprime të natyrës urgjente, përfiton shtesë page në masën 50% të pagës së tij ditore në përpjesëtim me orët e punës së kryer ose kompensim me kohë pushimi. Ai duhet të provojë me dokumentacion shoqërues (aktet hetimore ose vendime të gjykatës) orët e punës së kryer.

Prokurori që ushtron funksionin jashtë kohës normale të punës për veprime të natyrës urgjente, përfiton shtesë page në masën 25% të pagës së tij ditore në përpjesëtim me orët e punës së kryer ose kompensim me kohë pushimi, i cili duhet gjithashtu të provojë me dokumentacion shoqërues (aktet hetimore ose vendime të gjykatës) orët e punës së kryer.

Ndërsa prokurori që është në gatishmëri sipas grafikut të përcaktuar nga drejtuesi i prokurorisë, për shkak të gatishmërisë gjatë ditëve të festave zyrtare apo ditëve pushim përfiton shtesë page në masën 50% të pagës së tij ditore ose kompensim me kohë pushimi.

“Prokurori i cili është i gatshëm gjatë ditëve të javës por për shkak të gatishmërisë del jashtë orarit zyrtar të asaj dite përfiton shtesë page në masën 25% të pagës së tij ditore ose kompensim me kohë pushimi në përpjesëtim me orët e punës së kryer”, thuhet në vendim.

Prokurori që është i gatshëm gjatë ditëve të javës, por për shkak të gatishmërisë kryen veprime në orarin 22:00–06:00, përfiton shtesë page në masën 50% të pagës së tij ditore në përpjesëtim me orët e punës së kryer ose kompensim me kohë pushimi në përpjesëtim me orët e punës së kryer.

Fondi i përcaktuar për orët jashtë orarit nuk duhet të tejkalojë më shumë se 200 orë në vit për çdo prokuror”.

EMISIONET