Rishikohet Kuadri Makroekonomik e Fiskal 2025-2027, rriten projeksionet për të ardhurat dhe shpenzimet, ulet borxhi publik

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e ditës së djeshme Kuadrin e rishikuar Makroekonomik e Fiskal për periudhën 2025-2027, përgatitur nga Ministria e Financave.

Kuadri Makroekonomik e Fiskal përcakton përparësitë strategjike të qeverisë, projekton pritshmërinë makroekonomike në afatmesëm, si dhe parashikon nivelin e të ardhurave dhe shpenzimeve në buxhetin e shtetit.

Gjithashtu, dokumenti përmban objektivat në lidhje me treguesit kryesorë të politikës fiskale si balancën e përgjithshme fiskale (deficitin), huamarrjen, borxhin publik, si edhe balancën fiskale primare.

Ministria e Financave nënvizon se konsolidimi fiskal do të vijojë të jetë objektiv i politikës fiskale për periudhën afatmesme 2025-2027, në funksion të sigurimit të stabilitetit makroekonomik të vendit.

Sipas projeksioneve, borxhi publik parashikohet të zbresë në 55.2% në vitin 2027.

Balanca primare, si një parametër i rëndësishëm i qëndrueshmërisë afatgjatë të financave publike, e rikthyer në pozitive që në vitin 2023, do të vijojë të jetë e tillë, në përputhje edhe me rregullat fiskalë të Ligjit Organik të Buxhetit.

Vlerësimet faktike për vitin 2023, për rritjen nominale të rritjes ekonomike sollën një rishikim të treguesve kryesorë të borxhit dhe të deficitit, ku për vitin 2023 treguesi i borxhit shënoi nivelin 58.9% të PBB, treguesi i deficitit shënoi nivelin 1.4% të PBB dhe balanca primare 0.7% të PBB.

Projeksionet janë që në vitin 2024 të ardhurat totale të shënojnë një rritje të konsiderueshme duke arritur për herë të pare në 28.8% të PBB-së, ose 1% më shumë krahasuar me vitin 2023, i mbyllur në nivelin 27.8% të PBB-së, ndërsa projektohet që ato të arrijnë në 29.1% të PBB-së në vitin 2027.

Paralelisht me rritjen e të ardhurave dhe konsolidimin e mëtejshëm fiskal (uljen e borxhit, respektimin e balancës primare pozitive), kuadri i rishikuar synon të ruajë një raport të shëndetshëm të shpenzimeve buxhetore, ku në veçanti investimet publike parashikohet të jenë mesatarisht 5.2% e PBB-së në çdo vit buxhetor.

Gjithashtu, parashikohet që shpenzimet e programuara për buxhetin e vitit 2025 të jenë afro 796 miliardë lekë, ose 31.1% e PBB-së.

EMISIONET