"Rishikim kuadrit ligjor ", Preçi: Qeveria duhet t'u kërkojë falje qytetarëve për mashtrimin me "Becchettin"

Shteti shqiptar ka akumuluar dhe njohur gjithashtu një detyrim prej 109.5 milionë eurosh për çështjet e humbura në Arbitrazhet Ndërkombëtare.  

Vlera i  përket periudhës deri në qershor të vitit 2020 pasi ka ende procese të tjera Arbitrazhi që nuk kanë përfunduar apo nuk janë njohur zyrtarisht nga shteti ynë.

Zef Preçi, ekspert ekonomie, i ftuar në Rtv Ora përballë gazetares Beti Njuma thotë se në rrugë zyrtare prej 2016 është paralajmëruar se ekziton një listë prej 670 milion eurosh detyrime të pritshme që do ti krijohen hap pas hapi shtetit shqiptar për shkak të vendimeve të Arbitrazhit

Preçi: Nuk ka asgjë të re, duke filluar nga 2016 në konfliktet e përsëritura midis ministrave të Drejtësisë dhe Avokaturës së Shtetit ky problem është sjellë në evidencë dhe në mënyrë zyrtare është bërë e njohur se ekziton një listë prej 670 milion eurosh detyrime të pritshme që do ti krijohen hap pas hapi shtetit shqiptar për shkak të vendimeve të Arbitrazhit. Është fakt i njohur që Arbitrazhi në të gjitha rastet ka dhënë vendime në favor të palëve ankuese kundrejt shtetit shqiptar ashtu sikurse shteti shqiptar nuk ka bërë asnjëherë një analizë të detajuar për shkaqet pse kemi ardhur në këtë gjendje.

Shkaqet e humbjes së këtyre çështjeve nga shteti shqiptar për Preçin janë disa, përfshirë edhe interesat korruptive duke sjellë në vëmendje se në 15 procedura ishin përballë njëri-tjetrit burrë dhe grua, njëri në mbrojtje të shtetit dhe tjetri të privatit.

Preçi: Duhen parë rast pas rasti dhe jo në bllok. Janë një seri shkaqesh duke filluar me cilësinë e kontratave që hartohen, pjesa më e madhe janë hartuar nga investitori. Duke njohur sistemin tonë që funksionon mbi bazë korrupsioni, afilacioni politik, lobingjeve të ndryshme, ndërmjetësimit të oligarkëve etj, në këto kushte të huajt preferojnë kontratat standarde që i vënë ata në një pozitë preferenciale në raport me shtetin shqiptar. Së dyti, një numër kontratash bëjnë pjesë te propozimet e pakërkuara.Kanë qenë biznese që në mënyrë inteligjente kanë menduar si të bëjnë para. Pastaj vijnë dhe dy faktorë të tjerë, sipas meje, që kanë të bëjnë me mediokritetin, paaftësinë e Avokaturës së Shtetit dhe përgjithësisht të mbrojtjes së interrsave publike nga shteti shqiptar me idenë që ne nuk jemi në qeveri kur të paguhen, brezat e ardhshëm do ti paguajnë. Së fundmi personalisht dyshoj që ka edhe interesa korruptive siç është rasti i para pak viteve ku dy pjesëtarë të një familje, burri dhe gruaja, njëri mbronte shtetin dhe tjetri mbronte privatin. Jo në një procedurë por nga 60 procedura të atij viti, 15 ishin të tilla.

Ka një konflikt interesi, situatë absurde për të cilën nuk janë nxjerrë mësime dhe vazhdon të përsëritet. Nga ana tjetër interferencat politike siç është ndërhyrja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe vetë Kryeministrit për të bërë gjykatësin, prokurorin, për të ushtruar presion, këto janë përdorur si prova dhe janë përcjellë në shtyp, do të thotë që ka nevojë të ekzaminohet dhe kanilizohet, çështja mund të përfshijë dhe përgjegjësi penale. Fshehja pas vendimmarrjes kolegjiale, vendimit të qeverisë apo ligjit të parlamentit nuk i mbron personat që kanë cënuar interesin publik, që u kanë shkaktuar dëm pasuror qytetarëve shqiptarë. Është rasti të kujtojmë se shuma prej 109 milion eurosh që është gati për tu paguar, siç e konfirmoi dhe Ministrja, do të thotë të lëmë mangut shtëpitë pas tërmetit, shkollat, spitalet etj. Është e lidhur drejtëpërdrejtë me interesat e qytetarëve dhe është cënim i drejtëpërdrejtë i të drejtave të tyre.

Pavarësisht pagesës me këste, një faturë e tillë pritet të rëndojë mbi buxhetin e shtetit. Madje pagesa me këste rrit edhe detyrimin.

Eksperti i ekonomisë vlerëson se është i domosdoshëm rishikimi i kuadrit ligjor me synim që të evidendohet përgjegjësia penale e personave juridikë, e personaliteteve publike, të cilët me veprimet apo mosveprimet e tyre cënojnë rëndë interesin publik.

Preçi: Për çdo vit që kalon ka një shtesë pagese prej 3%+ Libor (instrumenti që përdoret për vlerësimin e interesit). Jo vetëm që kemi detyrime, fatura pritet të jetë më e madhe. Kjo varet nga koha dhe mënyrat sesi qeveria do të shtyjë pagesat. Duhet analizuar në thelb problemi për të shkuar drejt një rishikimi të kuadrit ligjor me synim që të evidendohet përgjegjësia penale e personave juridikë, e personaliteteve publike, të cilët me veprimet apo mosveprimet e tyre cënojnë rëndë interesin publik. Kjo është ajo që duket. Por të mos harrojmë se brenda territorit të Shqipërisë janë diku më shumë se 115 milion euro vendime të formës së prerë të gjykatave për persona të larguar padrejtësisht nga puna apo që nuk rikthehen në punë dhe për të cilët askush nuk flet në një kohë që të gjitha këto janë barrë mbi buxhetin, mbi taksapaguesit dhe të ardhmen e vendit.

Po kush mban përgjegjësi për këtë dëm?

Preçi: Duhet të njohim në thellësi problemin, pasi ka edhe probleme që lidhen me kapacitetet, ekspertizën, përzgjedhjen e firmave të huaja që asistojnë shtetin shqiptar.

Duke e bërë më konkrete, për dëmshpërblimin që shteti shqiptar do të duhet ti paguajë biznesmenit italian, Francesco Becchetti, Preçi thotë se përgjegjësia është publike dhe penale.

Me shqetësim ai sheh edhe heshtjen e SPAK.

Preçi: Përgjegjësia është shumëplanëshe sipas mendimit tim, është përgjegjësi publike e Kryeministrit dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, pasi janë përdorur mesazhet kërcënuese të këtij të fundit dhe denoncimi që Kryeministri bëri si person i përfshirë në pastrim parash. Dhe në të njëjtën kohë është përgjegjësi penale e qeverisë dhe parlamentit që kanë marrë vendime që cënojnë praninë e investitorit të huaj. Unë shpreh keqardhjen që Shqipëria, që ka ratifikuar shumicën e Konventave Ndërkombëtare, të shënojë hapa pas në respektimin e detyrimeve karshi investitorëve. Ka më shumë se 5 vjet që të gjithë shoqatat e biznesit të huaj, si Dhoma Amerikane e Tregtisë, Dhoma Gjermane etj, e ngrejnë si shqetësim pamundësinë e pjesëmarrjes në procesin e prokurimit, ka një proces korruptiv prokurimi me lobingje politike, me influenca etj dhe këtë e pohoi dhe vetë Kryeministri kohët e fundit.

Ashtu sikurse ka dhe influenca të drejtëpërdrejta në vendimmarrje me ligjet e porositura, janë elementë të mirëfilltë të kapjes së shtetit dhe dështimit të tij në përmbushjen e funksioneve kushtetuese përballë qytetarëve. Për fatin e keq të qytetarëve dhe për fatin e mirë të atyre që shkelin ligjet është fakti që nuk ka ura midis kontributeve në taksa dhe përfitimeve prej tyre. Njerëzit shkelin ligjin dhe kalojnë matanë, kultura e pandëshkueshmërisë është rrënjosur aq thellë sa edhe për akte që janë ditën për diell, që kanë vulën dhe firmën e personave përgjegjës, nuk ka kurrfarë shqetësime. Të bën përfshtypje dhe heshtja e çuditshme e SPAK, minimalisht për hedhur dritë dhe maksimalisht për të nxjerrë personat përgjegjës që me veprimet dhe mosveprimet e tyre i kanë shkaktuar dëm pasuror interesave publike, buxhetit të shtetit.

Pasi Kryeministri dhe ministri Ahmetaj mohuan me forcë faturën ndaj Becchettit, madje bënë edhe fushatë elektorale me këtë çështje, ministrja e Financave Denaj e pranoi si pa të keq detyrimin e shtetit shqiptar ndaj biznesmenit.

Preçi thotë se qeveria i detyrohet një falje qytetarëve shqiptarë për mashtrimin që u ka bërë dhe për përdorimin elektoral të kësaj situate fatkeqe në kurriz të tyre.

Preçi: Deklarata e saj pohon thjesht diçka që është në dokumentet zyrtare të Ministrisë së Financave. Përgjegjësia e saj, e anëtarëve të tjetër të kabinetit dhe Kryeministrit është të respektojë ligjin dhe njëkohësisht në rastin konkret është tu kërkojë falje qytetarëve shqiptarë për dezinformimin, mashtrimin që u kanë bërë dhe për përdorimin elektoral të kësaj situate fatkeqe për një pjesë të mirë të taksapaguesve. Të mos harrojmë që më shumë se 100 mijë familje shqiptare janë në kushtet e varfërisë çka do të thotë që çdo qindarkë që hiqet nga buxheti për të përmbushur detyrimet e shtetit kundrejt këtyre kontratave ndikon te shkollat, ndihma ekonomike, rrugët, spitalet etj.

EMISIONET