Raporti i kredive me probleme ra në gusht, arriti nivelin më të ulët në 16 vjet

Raporti i kredive me probleme ra në gusht, arriti nivelin më të

Raporti i kredive me probleme ra në muajin gusht dhe preku nivelin më të ulët në 16 vitet e fundit. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, ky tregues zbriti në 4.61%, nga 4.72% që kishte qenë për korrikun. Vlera e shënuar në muajin gusht është më e ulëta që prej tetorit të vitit 2008. Në përgjithësi, gjatë këtij viti raporti i kredive me probleme ka shfaqur një ecuri të qëndrueshme, duke qëndruar në nivele të përafërta me fundin e vitit të kaluar. Muaji gusht ka sjellë një përmirësim dhe rezultatin më të mirë për këtë vit, duke rënë lehtë poshtë nivelit prej 4.64% të muajit mars.

Megjithatë, fakti që raporti i kredive me probleme ka qenë pak a shumë i qëndrueshëm, pavarësisht rritjes së shpejtë të portofolit të kredisë, është një tregues se sasia e kredive me probleme po rritet në vlerë absolute. Në fund të muajit gusht portofoli total i kredisë për ekonominë, arriti vlerën e 812 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 12%. Mbi këtë vlerë, totali i kredive me probleme vlerësohet në afërsisht 37.4 miliardë lekë, nga rreth 35 miliardë lekë që kishte qenë në fund të vitit 2023.

Kjo tregon se, në vlerë absolute, kreditë e këqija janë rritur me 2.4 miliardë lekë ose afërsisht 6.8% që nga fillimi i vitit. Portofoli i kredisë për ekonominë po rritet me ritmin më të shpejtë që prej vitit 2008. Në segmente të veçanta, siç është kredia për pasuri të paluajtshme për bizneset, rritja ka arritur nivele shumë të larta, me 55% me bazë vjetore.

Përshpejtimi i rritjes së kredisë dhe zgjerimi i ekspozimit në tregun e pasurive të paluajtshme ka ngjallur shqetësimin e Bankës së Shqipërisë. Në mesin e këtij viti, Banka Qendrore vendosi të aplikojë për herë të parë një shtesë kundërciklike në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar, me 0.25 pikë përqindje.

Ndërkohë, në fillim të këtij muaji, Banka e Shqipërisë paralajmëroi se, nëse kreditimi do të vazhdojë të zgjerohet me ritmet e muajve të fundit, rritja e mëtejshme e kësaj norme në fund të vitit 2024 ka një probabilitet të lartë. Aplikimi i një shtese kundërciklike të kapitalit është i parashikuar në rregulloren e vitit 2018 “Për shtesat makroprudenciale të kapitalit. Një shtesë e tillë ka si qëllim ngadalësimin e kreditimit, në rast se banka qendrore vlerëson se ai po rritet me ritme tepër të shpejta./ Monitor

EMISIONET