Projekti për një rritje ekonomike, ambasadorja franceze: Shqipëria duhet të ketë një administratë profesionale dhe transparente

Përmes bashkëpunimit me Bashkimin Evropian punonjësit e administratës civile do të trajnohen në 5 shtete të unionit.

Qëllimi do të jetë marrja e shembujve më të mirë për ti aplikuar në vendin tonë.

Në prezantimin e projektit u theksua se kjo është një mundësi mjaft e mirë për të rinj e të reja.

Milva Ekonomi: “Administratat duhet të jenë profesionale, por në momentin që ato performojnë aftësitë e veta ka presionet e veta nga faktorë nga jashtë. Kemi një administratë publike e cila është moderne, i shërben interesit publik dhe e kryen me sukses jo vetëm kët proces transformimi për arsye të faktorëve të jashtëm dhe po e kryen me përkushtim edhe punën që po bëjmë sot për afrimin me Bashkimin Evropian”.

Ambasadorja franceze: “Shqipëria duhet të ketë një administratë publike profesionale, efikase dhe transparente”.  

25 persona do të përzgjidhen në këtë fazë, ndërsa për mediat u bënë të ditura dhe kriteret e aplikimit.

Albana Koçiu, Drejtoresha e DAP: “Projekt i cili në vetvete është një instrument më shumë për të motivuar, energjizuar dhe sjell më pranë administratës evropiane nëpunësit tanë civilë. Skema që po lançojmë vjen më e pasqyruar, me më shumë elementë të rinj dhe sigurisht me një numër përfituesish më të madh. Për të përfituar nga trajnimet, vizitat studimore, praktika pune në administratat e vendeve të BE-së”.

Në deklarata u theksua se projekti do të rrisi standartet, profesionalizmin dhe do të forcojë kapacitetet ne administraten shtetërore.

Albana Koçiu, Drejtoresha e DAP: “Si nëpunës civilë, ne kemi një rol kyç në ndërtimin dhe formimin e institucioneve tona dhe për këtë është thelbësore përditësimi i njohurive, aftësive dhe këndvështrimet tona, për të mësuar nga praktikat më të mira dhe nismat inovative jo vetëm në rajon por edhe me gjerë. Edhe pse ky program, është një hap i vogël, dua tju siguroj se është një hap i sigurt drejt asaj që duam të arrijmë, një administratë publike të qëndrueshme, të depolitizuar dhe me një profesionalizëm të lartë.

Lidhur me politikat që janë zbatuar vitet e fundit për të zhvilluar administratën dhe shërbimin civil, ato janë përqendruar fillimisht në konsolidimin e legjislacionit e më pas në ndërtimin e mekanizmave dhe sistemeve që nxisin meritokracinë, transparencën, duke rritur kapacitetet e punonjësve si dhe motivimin e tyre për t’u zhvilluar më tej.

Përtej këtyre hapave pozitiv që janë, ky program vjen si një vlerë e shtuar për të gjithë punonjësit. Me kënaqësi mund të pohoj se pas një pilotimi në vitin 2018, programi ‘young cells’ që prezantojmë sot vjen edhe më i përmirësuar. Gjatë konceptimit të tij, jemi përpjekur që të bëjmë një lidhje të qartë mes fushave prioritare te reformës dhe procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Ky program, modest për nga numri i përfituesve, po me një vlerë të madhe për eksperiencën që përcjell, është një mundësi e vyer për zhvillimin profesional të 25 nëpunësve civilë që do të përzgjidhen. Në ndryshim nga skema e zbatuar në vitin 2018, ky program vjen me elementë të rinj si dhe më një rritje të konsiderueshme të numrit të pjesëmarrësve që pritet t’i bashkohen skemës.

Ky program do t’u ofrohet jo vetëm nëpunësve civilë të administratës qendrore, por edhe nëpunësve të institucioneve të pavarura si dhe njësive të vetëqeverisjes vendore, duke hapur dyert për nëpunësit civil në të gjithë Shqipërinë.

Nëpunësit që do të përzgjidhen për të marrë pjesë, do të kenë mundësinë të përfitojnë trajnime, vizita studimore dhe praktika pune në administratën publike të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Përmes këtij programi do të zhvillohen gjithashtu mekanizmat për të mbështetur zhvillimin e karrierës së tyre.

Synimi është që nga kjo skemë të përfitojnë nëpunësit civilë që janë relativisht të rinj për nga eksperienca e tyre në shërbimin civil, specialistë apo përgjegjës sektori, por që në ndërkohë, kanë nga 3-8 vite eksperiencë pune në administratën publike.

E pa dyshim që me një program si ky, adresohen disa nga prioritetet kryesore të qeverisë të tilla si: përgatitja për anëtarësim në BE; hartimi dhe zhvillimi i politikave dhe procesi i vendimmarrjes; përafrimi ligjor i vendit tonë me kuadrin rregullator të Bashkimit Evropian; Si dhe zbatimi i parimeve kryesore të Administratës Publike.

Partneri kryesor në këtë projekt, është Instituti Kombëtar Francez të Shërbimit Publik (INSP), institucion përgjegjës për rekrutimin, trajnimin dhe edukimin e vazhdueshëm të nëpunësve civilë në Francë, që ka marrë dhe zgjeruar mandatin e mëparshëm të shkollës së mirënjohur franceze ENA me histori të gjatë në formimin e elitës politike dhe administrative, krijuar që në vitin 1945.

Bashkëpunëtorët tanë në këtë projekt janë edhe Universiteti i Shkencave Administrative të Aplikuara në Kehl /Gjermani dhe Universiteti i Bolonjës, i cili është përfshirë ndër të tjera edhe në projekte bashkëpunimi me studentët shqiptarë. Ky program mbetet një mundësi e shkëlqyer për nëpunësit civilë për të përfituar nga eksperienca që do të ofrohet nga rajoni i Emilia-Romagna, Itali, me traditë në fushën e bashkëpunimit në Ballkan dhe me eksperiencën e tij të vyer në programin e bashkëpunimit territorial ADRION. Gjithashtu, pjesë e ekipit do të jenë edhe shkollat e administratës publike të Kroacisë dhe Greqisë. Në këtë kuadër nëpunësve civilë do tu ofrohet akses në institucionet e administratave publike në plot pesë vende të BE-së, Francë, Itali, Gjermani,Greqi dhe Kroaci.

Shkolla Shqiptare e Administratës Publike (ASPA) edhe këtë herë do të ketë një rol aktiv përgjatë evidentimit të nevojave për trajnime dhe dizenjime të programit të trajnimit, si institucioni kryesor që ofron trajnimet për nëpunësit civilë”.

EMISIONET