Prodhuesit kërkojnë ndryshime në akcizë, industria e prodhimit kundër paketës fiskale

Heqja e akcizës së gazit, mosdyfishimi i akcizës së birrës si dhe kthimi i TVSH së rimbursueshme në bujqësi, janë kërkesat e shoqatës së prodhuesve drejtuar kuvendit.

Rresat Mansaku, përfaqësues i industrisë së aluminit dhe metaleve i kërkon qeverisë të heqë akcizën e gazit të lëngshëm, pasi asnjë vend i BE nuk e aplikon.

“Akciza e gazit të lëngshëm zë 60 deri 70% të kostos së prodhimit për shumë sektorë. Është në kundërshtim të plotë me parimet e vendosjes së akcizës. Ligji i akcizës së BE-së dhe vendeve të Ballkanit, konkretisht të Kosovës gazi për qëllime prodhimi është i liruar nga taksimi”.

Sektori i prodhimit të tullave po has vështirësi pasi vendosja e akcizës e ka kthyer jo konkurrues.

“Nëse 5 vite më parë kishim një raport eksport-import në favorin tonë, fabrika jonë kishte 40 deri 50% të prodhimit në eksport, aktualisht jo vetëm që nuk eksportojmë dot, tulla jonë del me kosto më të lartë se rajoni, por kemi këmbëkryq produktet e rajonit dhe këtu specifikoi produktet e Kosovës.

Akciza e lëndëve djegëse që shkon 30 deri 35% të kostove është shumë. Sot jemi më shtrenjtë në kosto se prodhimet e rajonit. Jo vetëm që nuk eksportojmë, por me këtë kosto shumë shpejt kemi për dalë jashtë loje”.

Gjithashtu dhe për prodhuesit e birrës dyfishimi i akcizës do të çojë drejt falimentit të fabrikave të birrës.

“Shohim që nuk kemi ende një përgjigje të qartë edhe pse në kundërshtim me të gjithë politikat e BE hiqet fasha për prodhuesit nën dhe mbi 200 mijë hektolitër, fashë e përcaktuar sipas kritereve të BE-së. Në kushtet e krizës së madhe mbivendoset një taksë e dyfishtë.

Ngritja e kësaj takse prevalon nivelin e evazionit dhe jo të kundërtën. Investimet që janë bërë në këto 19 vjet që janë në vlerën e 100 mln eurove, hidhen poshtë nga ky projektligj. Plus efekte sociale që do të ndodhin ku janë 1 mijë familje të punësuar në sektor.

Akciza rrit çmimin e birrës 150 lekë për litër, çka do të thotë të rrisim çmimin me 15-20 %. Kjo do të sillte rritjen e konsumit të birrës së importit që do të shitej me çmim më të lirë. Kjo do të ishte fatale për prodhimin vendas, pasi do të zhdukej”.

Një tjetër shqetësim i ngritur në komisionin e veprimtarisë prodhuese është edhe tarifa për pullën e akcizës, ku bizneset në vend paguajnë 22 euro për 1000 pulla.

EMISIONET