Posta/ 165 milionë lekë tendera në 3 muaj

Posta shqiptare ka prokuruar më shumë se 165 milionë lekë tendera nga muaji shkurt deri në maj të këtij viti.
Ndërmarrja e drejtuar nga Laert Duraj këto fonde i ka shpërndarë për 13 kontrata, në 12 prej të cilave nuk ka pasur garë mes konkurentëve.

Largimi i shpeshtë nga gara i operatorëve që paraqesin ofertën më të ulët është një fenomen që konstatohet në disa prej kontratave.

Konkretisht Posta Shqiptare ka vepruar në këtë mënyrë për 10 procedura. Ilmi Biba rezulton personi që ka përfituar vlerën më të madhe në këtë periudhë.

Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Blerje kuti postare me çelës për paketa për klientët” me fond limit 48.8 milionë lekë.

Pjesëmarrëse ishin tri kompani, një prej të cilave u skualifikua me argumentin se nuk plotësonte disa kritere. Ndërkohë që tjetri, edhe pse ishte përfshirë në garë, çuditërisht nuk kishte paraqitur as ofertë dhe as dokumentacion, çka i ka sjellë automatikisht skualifikimin.

Kështu i vetmi në garë dhe automatikisht edhe subjekti fitues, ka mbetur bashkimi i operatorëve Ilmi Biba dhe “Kreatx” me vlerën e ofertuar 47.5 milionë lekë.

Sipas të dhënave në Agjencinë e Prokurimeve Publike, kompania që u përjashtua nga gara kishte paraqitur një ofertë 3.5 milionë më pak se fituesi.

Në ndërmarrjen e drejtuar nga Duraj përjashtim nuk bëjnë as tenderat ku merr pjesë vetëm një kompani, çka i siguron fitoren që në fillim.

Kjo formë është konstatuar në 2 prokurime, në një prej të cilëve oferta e paraqitur nga operatori ekonomik është e barabartë me fondin e vënë në dispozicion nga Posta Shqiptare.

Bëhet fjalë për rikonstruksionin e filialeve të postës Berat, Lushnje dhe Fier me fondin 8 milionë e 608 mijë e 48 lekë.

Bashkimi i operatorëve Iliriada shpk & 4 AM shpk ishte i vetmi që mori pjesë dhe siguroi kështu fituoren duke ofertuar ekzaktësisht 8 milionë e 608 mijë e 48 lekë.

Prokurimet e posta shqiptare janë bërë objekt sinjalizimesh edhe nga Open Data, e cila disa prej tyre i ka shoqëruar me flamur të kuq për mungesë konkurence apo skualifikimin e të gjithë konkurentëbe përveç fituesit. Raporti më i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit i ka ngritur si një shqetësim serioz procedurat që ndoqën në tendera. Sipas KLSH-s, është konstatuar se institucionet i shpërndajnë paratë në vetëm disa kompani bazuar në një sistem vlerësimi të pabarabartë.

EMISIONET