Pandemia goditi financat e bashkive, më e prekura Libohova

Emergjenca e pandemisë i ka gjetur të papërgatitura 61 bashkitë e vendit gjatë vitit 2020, duke prekur ndjeshëm financat e tyre.

Ky është përfundimi në të cilin ka arritur raporti i ‘Financave Vendore’ për vitin që lamë pas, sipas të cilit 30 prej njësive të vetëqeverisjes vendore kanë vuajtur nga tkurrja e të ardhurave.

Norma më e lartë e rënies me rreth 61% është konstatuar në bashkinë e Libohovës, ndjekur më pas nga ajo e Lezhës me 57%.

Nga ana tjetër, në krye të listës së njësive të qeverisjes vendore që kanë arritur të sigurojnë më shumë fonde se vitin e kaluar qëndron bashkia e Pukës e cila ka rritur arkëtimet me 93%, ndjekur më pas nga Kukësi me 36%.

Sipas të dhënave zyrtare në funksion të qeverisjes vendore gjatë vitit 2020 u shpenzuan rreth 90.2 miliardë lekë me një rritje prej rreth 5.6% krahasuar me një vit më parë.

Pavarësisht krizës, bashkitë rezulton të kenë dhënë më shumë fonde për personelin dhe të kenë tkurrur ato për investime.

Të dhënat e raportit tregojnë se për punonjësit janë rritur shpenzimet me rreth 6% përgjatë 5 viteve të fundit.

Numri total i të punësuarve gjatë vitit që lamë pas arriti në 34,047 me një rritje prej 901 punonjësish më shumë se viti 2019.

Administrata e bashkisë Tiranë zotëron rreth 50% të kësaj shtese, ndjekur më pas nga Pogradeci dhe Durrësi.

Ndërkohë që vetëm në Dibër, Kamëz dhe Lezhë është konstatuar rënie e ndjeshme e të punësuarve.

EMISIONET