PAKTI PËR TË MBROJTUR PASURINË!/ I pandehur, apo bashkëpunëtor?! Si Fatmir Bektashi bën “teatro” sa herë shkon në SPAK
Fatmir Bektashi, biznesmeni i ndërtimit është paraqitur paraditen e sotme në SPAK, ku si në çdo vizitë në prokurorinë e Posaçme shfaqet buzagaz dhe me nota të forta humori, që nuk nguron ta shfaqë dhe me gazetarët e Kronikës së Zezë.
Për të gjithë ata që nuk e dinë, Fatmir Bektashi konsiderohet nga SPAK si guri i themelit në dosjen penale kundër ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të këtij të fundit Jamarbër Malltezi dhe pronarit të tokës Xhimi Begeja, të cilët u morën të pandehur nga SPAK për disa akuza.
Bektashi, është bashkëpronar me Jamarbër Malltezin në kompaninë e ndërtimit “Homeplan”, si dhe aksioner në disa kompani të tjera ndërtimi si “Kontakt”, “Bernard Engineers” dhe “Swarko Albania”.
Në dosjen hetimore të SPAK jepet një tablo e qartë dhe kronologjike historike e veprimeve të kryera, që nga privatizimi i ish-kompleksit “Partizani”, deri tek nisja e ndërtimeve dhe më pas transaksionet bankare që janë kryer fill pas shitjeve të ambienteve në pallatet e ndërtuara.
Aty del se figurë kyç për të sqaruar skandalin, është ajo e Fatmir Bektashit, biznesmeni që ka ndërtuar 17 kullat dhe ku është bashkëpronar bashkë me dhëndrin e ish-kryeministrit.
Sot Bektashi hyri dhe doli buzagaz në SPAK edhe pse në fytyrë ju përplas nga prokurorja Enkelejda Millonai, akuza e korrupsionit aktiv dhe pastrim i produkteve të veprës penale.
Edhe pse është akuzuar për korrupsion aktiv dhe pastrim parash, krime edhe më të rënda se ato që i atribuohen Malltezit, i cili ndodhet në “Arrest shtëpie”, Fatmir Bektashi jo vetëm që nuk është në burg (ka vetëm detyrim paraqitje dhe pengesë për t’u larguar nga Shqipëria), por nuk i janë sekuestruar as pasuritë siç është bërë me dhëndrin e Berishës.
Një pozicion ligjor në dukje i privilegjuar që hedh dyshime të forta se kontributi i Bektashit në hetime është më i madh nga sa duket dhe për këtë arsye SPAK e ka favorizuar, duke e lënë të zgërdhihet para godinës së SPAK.
Sipas vendimit të gjykatës në faqen 149, jepet një paragraf i dëshmisë pjesore i Fatmir Bektashit, që mund të përbëjë provën dhe që më pas ka sjellë lehtësimin e qëndrimit të prokurorisë karshi tij.
Në dëshminë e tij, Bektashi në fakt pranon se: “...Jamarber Malltezi nuk ka futur lekë në kompaninë “Homeplane” që ka financuar investimin tek 16 kullat. Por kontributi i vetëm i tij ishte të bindte pronarët e tjerë ta vënë tokën në dispozicion për të bërë ndërtimin kompania “Homeplane”.
Në materialin e siguruar nga “Ora News” del qartë se të dy personat kishin lidhur një marrëveshje verbale me biznesmenin Fatmir Bektashi, dhe se përfitimet financiare nga “Homeplan” i merrnin përmes llogaritjes së dividentit. Eurot ose lekët merreshin cash dhe përmes transaksioneve bankare.
Një fakt të tillë e ka pranuar vetë i hetuari Fatmir Bektashi, i cili gjatë marrjes në pyetje në prokurori ka treguar se:
“…unë i qëndroj deklarimeve të mia se shoqëria “Homeplan” është krijuar që në fillim me një marrëveshje verbale me shtetasit Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja, ku këta persona do ishin investitorë në formën e ndikimit tek pronarët e tjerë që të lidhnin kontratat e investimit me “Homeplan”. Por vetëm në vitin 2014 mesa shoh nga dokumenti është formalizuar juridikisht…”.
Një tjetër arsye se pse Fatmir Bektashi është njeriu kyç i këtij hetimi, është dhe fakti që ka treguar në SPAK se të gjitha veprimet që janë kryer mes tij dhe Jamarbër Malltezit, janë bërë në studion ligjorë “Pustina”.
Në dëshminë që ai ka dhënë në SPAK, tregohet se roli i tij në përpilimin e dokumenteve të kompanisë ka qenë thuajse në hije, pasi sipas tij të gjitha dokumentet i bënte e Andia Pustina, e besuara e Jamarbër Malltezit.
“…të gjitha aktet që lidhen me aktivitetin e shoqërisë “Homeplan” si nga ana financiare dhe juridike i kanë përgatitur shtetaset Andia Pustina dhe Laura Pustina dhe unë vetëm i nënshkruaja. Dua të sqaroj se shoqëria “Homeplan” nuk ka pasur asnjëherë arkë dhe çdo gjë, çdo veprim financiar është kryer nëpërmjet llogarive bankare. Edhe tërheqja e dividentit kryhet në të njëjtën mënyrë.
Edhe në lidhje me vendimmarrjet e shoqërisë “Homeplan” unë nuk kam ndonjë rol, pra që të shpreh mendim për vendimet e shoqërisë. Unë nuk kam marrë pjesë pra në procesin e vendimmarrjes por vetëm i nënshkruaja ato që përpilonte Andia Pustina. Për nënshkrimin e çdo akti që lidhet me shoqërinë “Homeplan” unë shkoj tek zyra e Andia Pustinës, që ndodhet përballë librit Universitar dhe i nënshkruaj aty. Mua me telefonon Andia për të vajtur dhe për të nënshkruar…” -ka deklaruar Fatmir Bektashi.
Fatmir Bektashi në dëshminë e tij të dhënë në SPAK, ka treguar se:
“…konceptualisht Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja kanë qenë gjithmonë pjesë e shoqërisë “Homeplan”, pavarësisht kur janë pasqyruar gjërat në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.
Ne kemi pasur marreveshje verbale me Janarber Malltezin dhe Begenë, ku unë kam pasur vetëm 40 për qind të kësaj shoqërie.
Këtyre dy personave, Jamarbërit dhe Xhimit po me marrëveshje verbale i kam thënë që të caktonin ata vetë përfaqësuesin e tyre për financat e shoqërisë “Homeplan”.
Dhe ata kanë pasur si ekonomiste, pra përfaqësuesin e tyre për të mbajtur bilancet e “Homeplan”, Andia Pustina. Kurse unë për veten time, kam pasur një financiare të punësuar.
Ligjërisht çdo dokument financiar e çoja unë tek Andia. Raportet i mbaja unë me Andian dhe e çoja muaj për muaj. Andia i fuste gjithçka në bilancet e “Homeplane””.
Në lidhje me nënshkrimin si ortak i vetëm në shoqërinë “Homeplan”, Fatmir Bektashi ka pohuar se:
“…me çdo letër të shoqërisë “Homeplan” është marrë Andia Pustina e cila është motra e noteres Laura Pustina dhe unë deklarim të hollësishëm mund të jap vetëm pasi të konsultohem me Andian dhe dokumentacionin e mbajtur prej saj. Unë di të them që “Homeplan” është krijuar që në fillim bashkë me dakordësinë e Jamarbër Malltezit dhe Xhimi Begesë, ku ata do të quheshin investitorë pavarësisht se prej tyre nuk u dha asnjë lekë, por kishin marrë përsipër të bindnin pronarët e tokës për të lidhur marrëveshje për realizim ndërtimi. Çdo dokument është përgatitur tek notere Laura Pustina, në lidhje me shoqërinë “Homeplan”. Tek kjo notere është përgatitur dhe marrëveshja e investimit që kam lidhur me Jamarbër Malltezin dhe Xhimi Begeja. Unë aktualisht nuk mbaj asnjë dokument të shoqërisë “Hameplan”, pasi i mban Andia Pustina…””.
Pas dëshmisë së Fatmir Bektashit, SPAK menjëherë ushtroi kontroll në këtë zyrë avokatie duke sekuestruar kompjuterat dhe disa dokumente që lidheshin me marrëdhënien tregtare që kishte Mallezi me Fatmir Bektashin.
Në realitet, pronarët e truallit ishin të gjithë dakord për të bërë ndërtimin dhe mes pronarëve është edhe familja e Fatmir Bektashit. Pra në dukje s’ka asnjë kuptim që Jamarbër u pagua nga Bektashi për të bindur veten dhe familjen Bektashi.
Por pavarësisht nga kjo, duke pranuar që Jamarbër Malltezi nuk ka dhënë asnjë kontribut në para në investim, Bektashi pranon tërthorazi se 5.4 milionë eurot të paguara dhëndrit të Sali Berishës ishin çmimi i super-bakshishit. Pra sipas SPAK kjo është prova e korrupsionit të tyre.
Ja se përse Bektashi akuzohet për korrupsion aktiv, pra njeri që ka korruptuar. Ndërsa Jamarbër Malltezi dhe Sali Berisha për korrupsion pasiv, pra që janë korruptuar nga Fatmir Bektashi.
Në materialin e siguruar nga “Ora News” del qartë se të dy personat Xhimi Begeja dhe Jamarbër Malltezi, kishin lidhur një marrëveshje verbale me biznesmenin Fatmir Bektashi, dhe se përfitimet financiare nga “Homeplan” i merrnin përmes llogaritjes së dividentit. Eurot ose lekët merreshin cash dhe përmes transaksioneve bankare.
Ndërtuesi sarkastik i pallateve te ish-komplesi "Partizani" Fatmir Bektashi paraqitet në SPAK