"Paga për gjyqtarët dhe prokurorët do i referohen sistemit të pagës për funksionarët e lartë shtetërorë"

"Paga për gjyqtarët dhe prokurorët do i referohen sistemit

Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi sot në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr.96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë””, të ndryshuar.

Zv.ministri i Drejtësisë, Klajdi Karameta tha se, “projektligji ka si qëllim zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që dikton edhe ndërmarrjen e nismës për ndryshimin e ligjit “Për pagat, strukturat dhe shpërblimet e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura të krijuara me ligj”, të ndryshuar”.

“Në kushtet kur referimi i pagës së magjistratit në pagën e nëpunësve civil ka sjellë probleme me zbatimin në praktikë të saj, Gjykata Kushtetuese është shprehur se, paga për magjistratët t’i referohet sistemit të pagës për funksionarët e lartë shtetërorë, që përcaktohet në raport me pagën e Presidentit”, tha Karameta.

“Kjo nismë, vjen bashkërisht me propozimin për ndryshime të ligjit nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, strukturat dhe shpërblimet e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura të krijuara me ligj”, të ndryshuar, ku parashikohet që paga e Presidentit të Republikës të jetë në masën 425000 lek në muaj.

Në këto kushte, paga e magjistratit do të jetë e barabartë me rezultatin që del nga shumëzimi i koeficientit 0.36 me pagën e re të Presidentit të Republikës, në masën 425 000 lekë në muaj. 

Paga e referuese do të jetë 153 000 lekë në muaj, e cila është më e lartë se sa paga prej 152 700 lekë, të llogaritur sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.

“Ky projektligj, parashikon që çdo ndryshim eventual që mund të pësojë parashikimi mbi pagën e Presidentit të Republikës të shoqërohet me ndryshimin e koeficientit të parashikuar në këtë projektligj.

Kjo me qëllim që, nëse do të ketë ndryshime në pagën e Presidentit, formula e llogaritjes së pagës së magjistratit të garantojë paprekshmërinë e pagës së këtij të fundit”, u shpreh Karameta.

EMISIONET