OSHEE derë më derë, nga data 1 tetor çmim i ri për ata që shpenzojnë mbi 9220 lekë

Nga data 1 tetor për të gjithë familjet që shpenzojnë më tepër se 800 kilovat fatura do të vijë edhe më e kripur.

Për këtë ndryshim duhet që Enti Rregullator të vendosë brenda pak ditëve tarifën e re që do të aplikohet.

Në një intervistë për Rtv Ora, drejtori i Energjisë në Ministrinë e Energjitikës, Enea Karakaçi, jep shembuj konkretë ku secili mund të llogarisë kufirin.

"Konsumi 800 kilovat/h ka një vlerë fature 9220 lekë. Zero deri në 800 kilovat/h ti vazhdon e mban në çmimin e mbrojtur  që është në fuqi. Ndërsa 801 e sipër do të jetë çmimi i ri që do të njoftohet nga ERE".

Për të mos i detyruar familjet të kenë mendjen te sahati apo të presin në fund të muajit rezultatin, ekpsertët e OSHEE do të zbresin në terren për të infirmuar ata që i afrohen fashës së rrezikut.

"Atyre abonentëve që janë në kufirin e 800-shes apo më lart OSHEE do të marrë të gjithë masat në terren që faturimi për këtë grup abonentësh të jetë sa më afër datës 30 apo 31 që mos të ketë pretendime për keqfaturime dhe tejkalim të kësaj situate."

Tarifa që do të vendosë ERE do të jetë në fuqi deri me 31 dhjetor por në dy javët e fundit të 2022 do të kryhen vlerësimet e reja.

"Në muajin dhjetor do të ulemi përsëri dhe do të bëjmë vlerësimet përkatëse, si kanë qenë prurjet gjatë kësaj periudhe, si janë çmimet e importit, si është parashikueshmëria për 2023".

Ndonëse nga OSHEE ka kontrolle periodike për të parandaluar lidhjet e paligjshme, pse pikërisht Task-Forca do të dalë nga 1 tetori në terren?

"Krijimi i kësaj Task-Force të posaçme bëhet si rrjedhojë e kësaj situate të veçantë emergjence që është e nevojshme të ketë një fokus edhe më të madh".

Pavarësisht se gjatë periudhës së pandemisë sahatet e energjisë elektrike në banesa mateshin çdo dy muaj, për të parandaluar mbifaturimin, Karakaçi shprehet se në këtë situatë do të maten çdo 30 apo 31 ditë.

EMISIONET