Në Shqipëri po pastrohen paratë, një nga shtetet kryesore ku qarkullojnë fondet nga grupet kriminale

Shqipëria renditet në shtetet kryesore ku pastrohen paratë. Mungesa e transparencës, korrupsioni dhe ligjet, janë shkaqet që kanë sjellë rënien me 28 pozicione në raportin e Bazelit. Më herët ndërkombëtarët kanë ngritur shqetësimin për formën e financimit të ndërtimeve të reja.

Përpjekjet dhe deklaratat për luftën ndaj pastrimit të parave duket se kanë dështuar në vitin e fundit.

Indeksi i Bazelit në raportin e fundit nënvizon përkeqësimin e situatës në vendin tonë, duke e renditur në vendin e 72 mes 110 shtetesh dhe e fundit sa i përket rajonit.

Kjo është një rënie drastike, pasi një vit më parë Shqipëria u rendit në vendin e 44.

Transparenca financiare, korrupsioni dhe ryshfeti, kuadri ligjor që lidhet me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit,  janë faktorët negative që kanë ndikuar në këtë rënie.

Shqipëria, Gjeorgjia, Ukraina, Rusia, Turqia, Taxhikistani dhe Kirgistani janë cilësuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit si destinacionet kryesore të pastrimit të parave, ndërkohë janë përjashtuar janë Moldavia, Bjellorusia dhe Serbia.

Sipas Indeksit të Bazelit, Armenia ka pasur përmirësimin më të madh  për shkak të rënies së pikëve të rrezikut për trafikimin e qenieve njerëzore, korrupsionin dhe ryshfetin.

Më herët në raportet ndërkombëtare është nënvizuar se grupet kriminale po pastrojnë paratë përmes ndërtimeve shumëkatëshe, kryesisht në Tiranë.

Për raportin ka reaguar dhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila thotë se Shqipëria është parajsa e pastrimit të parave në Europë.

Sipas Tabakut, kjo mazhorancë nuk ka vullnetin dhe as dëshirën për të përmbushur kushtet dhe për të integruar vendin.

"Ndërtimi sidomos në Tiranë, investimet nga sipërmarrje me pikëpyejte në turizem me bekimin e qeverisë, lojërat e fatit janë sektorët që kanë njollosur Shqipërinë në këtë renditje, e po pengojnë rrugëtimin tonë në BE. Pavarësisht retorikës së ditës, propagandës së rremë e çdo shfaqje që ngre tendat sa herë del Rama, faktet bërtasin! Kjo mazhorancë nuk ka vullnetin dhe as dëshirën për të përmbushur kushtet dhe për të integruar vendin!"

EMISIONET