Miratohet paketa e dytë e ndihmës, 12 miliardë lekë
Për pensionistët dhe invalidët duket se do të ketë një paketë të re të ndihmës. Në Fletoren Zyrtare është miratuar ndryshimi në buxhet, ku 12 miliardë lekë parashikohen për ti kaluar familjeve për përballimin e krizës së rritjes së çmimeve.
Qeveria ka vendosur të japë një paketë të dytë ndihme në përballimin e krizës së rritjes së çmimeve.
Në Fletoren Zyrtare është publikuar akti normativ i qeverisë për ndryshimin e buxhetit të shtetit ku bëhet edhe rishpërndarja e të ardhurave të buxhetit.
Në dispozicion do të jenë 12 miliardë lekësh, të cilat sipas përcaktimeve në draft, do të shpërndahen me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Pas këtij veprimi qeveria do të hartojë dhe aktet nënligjore për të përcaktuar se sa do të jetë shuma që do të jepet në çdo muaj dhe cilat do të jenë kategoritë që do të përfitojnë prej kësaj skemë.
Në muajin mars të këtij viti u miratua paketa e parë e rezistencës ku në dispozicion u vendosen 6 miliardë lekë.
Në atë kohë u nda një shumë prej 3 mijë lekësh për tre muaj me radhë për rreth 400 mijë persona mes tyre një pjesë e pensionistëve si dhe invalidët. Ndihma u dha për tre muaj me rradhë dhe pavarësisht vazhdimit të rritjes së çmimeve pas muajit qershor u ndërpre.
Ende nuk ka të dhëna se kur qeveria do të miratojë vendimet për ndarjen e ndihmës së dytë, por me hyrjen në fuqi të aktit normative i jepet e drejta të veprojë edhe pa u mbledhur parlamenti.