Çmimi i naftës “ngriva-shkriva”, nafta nga 265 lekë për litër në 261, qytetarët braktisin mjetet

Qytetarët po reduktojnë lëvizjen me automjete për shkak të rritjes së çmimit të naftës në nivelin rekord prej 265 lekësh për litër, i cili mbeti në fuqi vetëm për 24 orë. Ndryshe nga çdo rast tjetër, Bordi publikoi të shtunën një vendim të dytë që e ul çmimin e naftës në 261 lekë për litër, katër lekë më lirë se rekordi i vendosur një ditë më parë. Drejtuesit e mjeteve nga ana tjetër thonë se qeveria duhet të reflektojë duke hequr taksat në çmimin e lëndës djegëse të automjete, pasi kostoja e jetesës në vend është bërë e papërballueshme nga rritja e çmimeve në të gjitha produktet e konsumit.

"Serbatorët janë bosh, ku i dilet? Të vejë nafta kaq është llahtari, tmerr! Me çfarë të punosh?"

"Është jashtëzakonisht shtrenjtë çmimi."

"Na mbyti fare, do ta mbyllim nesër. Nuk kemi më lekë për naftë."

Reagimet e shumta duket se kanë detyruar Bordin e Transparencës që brenda 24 orëve të ndryshojë dy herë çmimin e karburanteve.

Të premten Bordi kishte vendosur çmimin e naftës në shifrën rekord prej 265 lekësh, por një ditë më pas, një vendim i dytë e uli çmimin në në 261 lekë, me katër lekë reduktim.

Sipas vendimit të marrë nga Bordi të shtunën, benzina do të shitet me 236 lekë për litër, ndërsa gazi me 86 lekë për litër.

Rrugët e Tiranës të shtunën ishin pothuajse bosh.

Ato pak makina që lëvizin  janë për punë ose për emergjencë.

"Vetëm prej zorit vijmë, në spital."

Si zgjidhje qytetarët shohin protestat, edhe pse numri i pjesëmarrësve ka qenë i kufizuar në tubimet e organizuara deri tani.

"Duhet ulur nafta patjetër. Të ngrihemi të gjithë që të zërë mend qeveria."

"Zgjidhjen e jep shteti. Normale është me dal në protestë paqësore."

Çmimi prej 265 lekë për litër, i vendosur nga Bordi të premten përbën rekord historik për këtë produkt edhe pse u la në fuqi vetëm për 24 orë pasi u anulua një ditë më vonë.

EMISIONET