Me paratë tona, shteti e blen karburantin me çmimin më të lartë

Edhe pse çmimi i tregut vendas nuk është aspak i stabilizuar, bashkitë e vendit firmosin tendera për furnizimin afatgjatë me karburant me çmimin aktual, pa parashikuar në kontrata ndryshimet që mund të pësojnë këto çmime me kalimin e muajve.

Në një kohë kur çmimi i karburantit ndryshon nga java në javë, institucionet në vend vijojnë të bëjnë prokurime afatgjatë për blerje karburanti madje me çmim të kripur.

Në një vëzhgim të bërë në disa nga prokurimet e fundit vihet re se kërkohet furnizimi me afat nga 3 muaj deri në 1 vit.

Por edhe pse në këto raste synohet që të merret çmimi më i lirë se tregu, rezulton se fatura që do të paguajnë institucionet për çdo litër shkon nga 236 deri në 260 lekë litri.

Edhe pse çmimi i karburanteve muajt e fundit mesatarisht shkojnë në 220 apo 230 lekë litri, zyrtarët vendosin ta marrin goxha më shtrenjtë nga kompanitë.

Konkretisht, në datën 19 tetor Ujësjellësi i Vorës ka hapur tenderin për blerjen e 10 955 litrave karburant me vlerë 2.5 milionë lekë, për 10 muaj që nga nënshkrimi i kontratës. Me një përllogaritje të thjesht, çmimi shkon në 236 lekë litri.

Ujësjellësi i Malësisë së Madhe, për 3203 litra karburant do të shpenzohen 839 mijë lekë, për 3 muaj që nga nënshkrimi i kontratës duke e çuar vlerën në 260 lekë litri.

Por në këtë kontratë po ashtu shtohet se marzhi i fitimit të kompanisë shkon në 17 lekë litri.

Përpos kësaj, tenderët bëhen pa garë dhe kompanitë që marrin tenderët paraqesin ofertat sa 100% të vlerës së tenderit.

EMISIONET