MBUSHET ARKA E BUXHETIT/ 163 miliardë lekë në tre muaj, 33 miliardë sufiçit
163 miliardë lekë janë mbledhur në tre muajt e parë të vitit. Ministria e Financave raporton rritje të arkëtimeve, ndërsa edhe shpenzimet kanë vijuar sipas parashikimeve. Sipas të dhënave suficiti shkoi në 33 miliardë lekë
Ministria e Financave raporton për një ecuri të mirë të ekonomisë në tre muajt e parë të vitit. Sipas të dhënave janë 163,8 miliardë lekë të kaluara në buxhetin e shtetit duke kaluar në mbi 5 për qind nga parashikimi dhe me një rritje prej 7.64 miliardë lekë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Doganat dhe tatimet qëndrojnë në krye të renditjes me 149.4 miliardë lekë të mbledhura. Nga renta minerare janë mbledhur 722 milionë lekë.
Ndërkaq nga tatimi mbi fitimin u realizuan 18.7 miliardë lekë, me 13.7% më pak se 3 mujori i vitit 2023 por me trend rritës krahasuar me fundin e vitit të shkuar.
Shtesë ka pasur edhe nga kontributet për sigurimet shoqërore e shëndetësore si një tregues i rritjes së pagave dhe të punësimit.
Ministria deklaron se shpenzimet arritën në rreth 130 miliardë lekë ose në nivelin e 96 për qind të parashikimit.
Me këtë situatë është krijuar një sufiçit prej rreth 33.4 miliardë lekë. Sa i përket rritjes ekonomike, organizatat ndërkombëtare kanë parashikuar një rritje deri në 3.5 për qind.
Ndërsa si “Standard&Poors” dhe “Mody’s” i kanë dhënë pikë pozitive Shqipërisë.