Mazhoranca dhe opozita në mbështetje të rritjes së buxhetit për Universitetin e Shkodrës

Mazhoranca dhe opozita në mbështetje të rritjes së buxhetit

Në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik deputetët e mazhorancës dhe opozitës mbështetën kërkesën e rektorit të Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, Prof.Dr Tonin Gjuraj për rritje të buxhetit për këtë universitet.

Në seancën dëgjimore për diskutimin në parim të projektligjit “Për Buxhetin e Vitit 2025” me universitetet e rretheve, rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Prof. Dr. Tonin Gjuraj kërkoi një vëmendje më të madhe dhe një shtim të buxhetit për këtë universitet.

“Kërkesat janë shumë të mëdha por kërkoj një vëmendje më të madhe për universitetin “Luigj Gurakuqi”, një pol të rëndësishëm të veriut, arritëm të stoponim rënien e regjistrimeve nga pikëpamje e numrave. Ky është sukses falë stafit dhe drejtuesve të kaluar”, tha Gjuraj.

Rektori Gjuraj  u shpreh se “sa i përket ndërkombëtarizimit nuk është buxhet i mjaftueshëm gjithashtu edhe sa i përket programeve të përbashkëta me Institucionet e Arsimit të Lartë, por edhe në tërësi për bashkëfinancimin e projekteve ndërkombëtare”.

Deputeti i PS-së, Florenc Spaho u shpreh se “këtë vit janë alokuar 62 miliardë lekë dhe ne jemi gjithmonë duke rritur fondet për arsimin, por nuk mjaftojnë sepse duhet gjithmonë me shumë për të rritur cilësinë e mësimdhënies dhe për të prodhuar studentë që do të jenë dinjitozë në profesionet e tyre”.

Spaho propozoi që të zhvillohet një seancë dëgjimore me Komisionin e Ekonomisë, ku theksoi si, “do të parashtrojmë dhe të jemi mbështetja e parë për universitetet pa hequr punën e madhe të deputetëve të këtij komisioni”.

Kryetarja e Komisionit, Ina Zhupa duke iu drejtuar deputetit Spaho u shpreh se tha se “bie dakord me shumicën e gjerave që thatë përveç diçkaje nuk bie dakord se kaq është mundësia sepse mundësia është e madhe në buxhetin e shtetit, por kaq është vullneti politik për t’i dhënë arsimit. Mundësia është e madhe sepse është buxheti më i madh deri më sot në Shqipëri dhe ndërsa fondet për arsimin e lartë kanë ngelur të njëjta”.

Deputetja e PD-së Ulliri tha se “universiteti i Durrësit, Korçës, Gjirokastrës, Elbasanit, Vlorës, Shkodrës duhet të jenë universitet që vlerësohen se kanë treguar me vite punën e tyre, por kjo duhet të nisë me financimin e duhur dhe mbështesë kërkesat tuaja për një financim të denjë drejt universitetit që duan të bëjnë punën e tyre t’u japin studentëve shqiptarë dhe atyre që duan të ndjekin arsimin e lartë në qytetet e tyre”.

EMISIONET