Malaj: Ulim borxhin publik në 55.8 % në 2025-ën, niveli më i ulët që nga viti 2008

Konsolidimi fiskal do të vijojë të jetë objektivi themelor i politikës fiskale për periudhën afatmesme 2025-2027, në funksion të drejtpërdrejtë të sigurimit të stabilitetit makroekonomik të vendit, si një premisë thelbësore për sigurimin e një rritje ekonomike të qëndrueshme e gjithëpërfshirëse.

Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot gjatë një seance dëgjimore për deficitin dhe borxhin publik, se ky konsolidim fiskal solli edhe përmirësimet e vlerësimeve të kreditit për vendin tonë.

“Ndër vite është arritur një progres mjaft i qenësishëm në konsolidimin fiskal. Në vitin 2023, regjistruam një balancë primare pozitive prej 0.7%, ndërsa raporti i borxhit publik ndaj PBB-së u ul sërish ndjeshëm me 6.6 pikë përqindje krahasuar me vitin 2022, duke arritur në 57.5%, niveli më i ulët që nga viti 2008”, tha ai.

Sipas tij, rezultatet pozitive të deritanishme janë reflektuar edhe në përmirësimet e vlerësimeve të kreditit për vendin tonë.

“Në vitin 2023, Standard & Poors e ngriti vlerësimin e Shqipërisë nga “B+, pozitive” në “BB-, e qëndrueshme ” dhe së fundmi, në tetor 2024, gjithashtu Moody’s e ngriti vlerësimin nga “B1, pozitive” në “Ba3, e qëndrueshme”. Këto janë dëshmi të besimit të institucioneve dhe investitorëve të tregjeve financiare ndërkombëtare në qëndrueshmërinë dhe drejtimin që ka marrë ekonomia shqiptare”, deklaroi Malaj.

Projektbuxheti për vitin 2025 materializon plotësisht objektivat kryesore të politikës fiskale.

“Materializohet plotësisht objektivi kryesor operacional i politikës fiskale për një balancë primare jonegative, kjo edhe sipas përcaktimit ligjor të rregullit fiskal të balancës primare që kemi në ligjin organik të buxhetit. Konkretisht ky projektbuxhet targeton një balancë primare lehtësisht pozitive, pra me një suficit primar prej rreth 0.5 miliard lekë”, u shpreh ministri.

Përmes këtij p/buxheti, vuri në dukje ai, materializohet plotësisht objektivi thelbësor i politikës fiskale, ai i reduktimit të borxhit publik si raport ndaj Produktit të Brendshëm Bruto, duke targetuar për vitin 2025 një nivel të borxhit prej 55.8% të PBB nga 56.3% i pritshëm për vitin 2024.

“Sipas skenarit bazë, borxhi publik bruto pritet të bjerë në rreth 55.0% në vitin 2026 dhe më tej në rreth 48.5% në vitin 2031, duke vijuar politikën e konsolidimit fiskal dhe duke respektuar rregullin përkatës fiskal të përcaktuar në ligjin organik të buxhetit”, tha ministri.

Në të njëjtën kohë, vijoi Malaj, materializon gjithashtu edhe objektivin tjetër mjaft të rëndësishëm të politikës fiskale, atë të një raporti produktiv (të shëndetshëm) midis huamarrjes totale neto të buxhetit (ose deficitit të përgjithshëm) dhe shpenzimeve kapitale të qeverisë qendrore (ose investimeve publike).

“Është në përputhje të plotë edhe me “rregullin e artë” fiskal, sërish edhe ky i përcaktuar në ligjin organik të buxhetit, ku ndërkohë që limiti i deficitit të përgjithshëm është në rreth 2.6% të PBB (ose rreth 68 miliardë lekë), shpenzimet kapitale totale (ose investimet publike të qeverisë qendrore) janë buxhetuar në rreth 6.2% të PBB (ose rreth 161 miliardë lekë), që do të thotë një balancë fiskale korente pozitive prej rreth 3.6% e PBB. Ose e thënë ndryshe, buxhetohen investime publike totale rreth 93 miliardë lekë më tepër se sa deficiti i përgjithshëm”, shpjegoi ministri.

EMISIONET