Kaosi me shitblerjen e energjisë, Duleviç: Shpërdorim i prurjeve, KESH duhet ta mirëmenaxhonte

Shitja e energjisë me çmim të lirë dhe blerja me vlera të kripura do të ishte e mundur nëse në vend do të funksiononte bursa. Edhe pse institucioni ka dy vite që është krijuar, janë burokracitë që e kanë lënë në fazë ngrirje.

Prej dy vitesh në Shqipëri është krijuar bursa e energjisë elektrike, por burokracitë kanë bërë që të mos funksionojë.

Pikërisht ky është një nga shkaqet që tregu i shitblerjes së rrymës elektrike të jetë në kaos madje dhe me akuza për korrupsion me çmimin e lartë në blerje dhe të lirë në shitje.

Për ekspertin e energjisë, Azmer Duleviç, vendi është detyruar të veprojë në këtë formë.

 “Ditën e djeshme KESH ka shitur 8048 MWh me një çmim 82.3 euro/MWh, për arsye se në vendin tonë nuk kemi bursë funksionale të energjisë elektrike. Detyrohemi ta shesim kush e jep ofertën e parë ose përndryshe do hapen portat dhe do ikë uji kot. Në momentin që blejmë energjinë e blejmë me çmim të lartë 200 euro/ MWh.”

Sipas tij shmangia e përmbytjes ishte e mundshme pasi informacioni për reshjet kishin ardhur në kohë.

 “Qytetarët kanë dilemë pse po shpërdorohet uji, duhet të kemi të qartë se energjia nuk është mall që prodhohet dhe mund të ruhet. Por duhet një mirëmenaxhim, kjo situatë nuk erdhi nga hiçi, por pritej që do kishte intensitet nga reshjet. Duhej bërë hapje e kontrolluar e digave, dhe nuk do ishte e nevojshme të hapeshin portat dhe të derdhej një sasi prej 1300 metër kub ujë në sekondë. Prurjet ishin 4000 metër kub në sekondë.”

Sipas ekspertit, reshjet e fundit kanë siguruar energjinë elektrike për muajin dhjetor, ndërsa aplikimi i fashës 800 kWh nuk duhet të aplikohet pasi prodhimi mbulon konsumin.

EMISIONET