Inflacioni po destabilizon ekonominë
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko gjatë raportimit këtë të premte në Komisionin për Ekonominë dhe Financat nënvizoi se niveli i lartë i inflacionit po dëmton stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit.
'Balanca e rreziqeve për inflacionin është në kahun e sipërm, për rritjen ekonomike në kahun e poshtëm. Po kështu, e lidhur edhe me politikën fiskale dhe me buxhetin, niveli i rrezikut është i lartë. Kjo shkakton pasiguri në tregje dhe paqartësi në drejtim të projeksioneve. Kemi një model por situata është kaq komplekse dhe kaq e nderlikuar, saqë niveli i pasigurisë është shumë i lartë.' - u shpreh Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko
Në një situatë të tillë Sejko shprehet se prioriteti aktual i politikave ekonomike do jetë marrja e masave për garantimin e stabilitetit të çmimeve.
'Banka e Shqipërisë është përpjekur që të ndërrojë kahun e politikës monetare, si instrument i vetëm dhe kryesor në funksion të reduktimit të inflacionit, duke patur parasysh balancën e frenimit të çmimeve dhe mospengesës së rritjes ekonomike.'- u shpreh Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko
Dy ditë më parë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë njoftoi rritjen e normës bazë të interesit, hera e pestë e rritjes së normës për këtë vit.
Vendimi i Bankës së Shqipërisë sipas tij synon të forcojë monedhën shqiptare kundrejt monedhave të huaja, por njëkohësisht është një penalizim për qytetarët që kanë kredi në lekë.