Tërmeti i 2019-ës i dëmtoi banesën, çifti i të moshuarve jetojnë ende në një garazh automjetesh
Jetojnë dy të moshuar në një garazh automjetesh, Pashku i ka kaluar 83 vitet, ndërsa bashkëshortja në gjendje të rëndë psikologjike nga humbja e të birit disa vite më parë.
Tërmeti i nëntorit të vitit 2019 dëmtoi rëndë edhe banoren e çiftit Lala nga fshati Shulla të Kurbinit, një histori tashmë e njohur për këtë çift nga trokitje në dyert e institucioneve, por ende pa asnjë zgjidhje.
Sërish, 83-vjeçari nuk ka humbur shpresat, beson tek institucionet për një shtëpi të re, ashtu si kanë përfituar të dëmtuarit e tjerë.
Çifti i të moshuarve po kalojnë ditë të vështira, mosha e tyre nuk mund të përballojë të tilla kushte ku ata banojnë në garazh automjetesh. Dy vite më parë, 83-vjeçarit i është ofruar një investim nga një emigrant jashtë vendit, por ai nuk e ka pranuar. Ai kërkon të përfitojë si të gjithë të dëmtuarit e tjerë.
Dëmtimet në banesën e tij duken qartë nga muret e çara, tavanet e dëmtuara, kolonat e banesës që rrezikojnë të bien në tokë, ndaj edhe Pashku tregon se i frikësohet ndonjë rreziku të shembjes së banesës. /Faxnews