Gonxhja thotë: Procedurat e prokurimeve publikohen online në kohë reale
Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka bërë një hap të rëndësishëm drejt rritjes së transparencës dhe lehtësimit të aksesit publik në procedurat e prokurimit që shpallen nga OBP.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja u shpreh sot se, tashmë procedurat e prokurimeve të shpallura nga organi qendror blerës (OBP) gjehen të publikuara në kohë reale në faqen e internetit www.obp.al.
“Duke sjellë risi në publikimin e tenderave në faqen zyrtare të institucionit, ne synojmë t’i ofrojmë publikut, operatorëve ekonomikë dhe palëve të interesuara një përvojë më të lehtë dhe të koncentruar për procedurat që publikohen nga OBP”, theksoi Gonxhja.
Ministri Gonxhja nënvizoi se, përmes këtyre përmirësimeve, secili përdorues tani mund të informohet më thjesht mbi procedurat e organit qendror bleres OBP.
“Ky përkushtim i OBP-së synon të rrisë shpejtësinë e informacionit, njoftimin në kohë reale për çdo procedurë tenderimi që publikon, si dhe të sigurojë që praktikat e prokurimit të jenë gjithmonë në përputhje me standardet më të larta të transparencës”, shtoi ai.
Gonxhja inkurajoi publikun të vizitojë rregullisht faqen zyrtare të MEKI për të qëndruar të informuar mbi të gjitha procedurat e hapura dhe risitë në fushën e prokurimit.