Humbjet në Arbitrazh/ Preçi: Rama u detyrohet një shpjegim qytetarëve nga parlamenti dhe jo përmes deklaratave

Shteti shqiptar ka akumuluar një detyrim prej 109.5 milionë eurosh për çështjet e humbura në arbitrazhet ndërkombëtare.

Sipas dokumenteve zyrtare të Ministrisë së Financave borxhi përveçse i përket formës përfundimtare edhe është njohur nga shteti shqiptar.

Ndërkohë, eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, në një intervistë në edicionin e lajmeve të RTV Ora, është shprehur se Shqipëria i ka humbur të gjitha çështjet, ku kërkohet kontraktimi i studiove për ta përfaqësuar Shqipërinë në Arbitrazh, përveç asaj të parkingjeve, në Vlorë.

Më tej ai shton se ka raste të dyshuara që ka kontrata që janë hartuar qëllimisht në favor të palëve të treta, pra të palëve të huaja.

“Për fat të keq Shqipëria i ka humbur të gjitha rastet, me përjashtim të një rasti në Vlorë në lidhje me parkingjet e Bashkisë Vlorë. Për fat të keq vihet re mungesë e ekspertizës me mënyrën se si janë hartuar kontratat, ashtu siç ka raste të dyshuara se janë hartuar kontrata  qëllimisht në favor të palëve të treta, pra të palëve të huaja. Në të njëjtën kohë duhet pranuar që edhe një pjesë e investitorëve që shkelin territorin shqiptar, duke njohur mënyrën se si funksionon sistemi, sa të dobëta janë institucionet, si korruptohen ato, si funksionon elita politike etj, e shfrytëzojnë këtë ambient për të rritur siguritë e veta por edhe përfitimet e veta, kur ka veprime të tilla tërësisht arbitrare.

Sipas tij, Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e tij, u detyrohen një shpjegim qytetarëve përmes parlamentit dhe jo nëpërmjet deklaratave, ku u drejtohen kritikëve.

“Zoti Rama dhe Ministrat e tij, u detyrohen një shpjegim qytetarëve, u detyrohen një shpjegim përmes parlamentit, e jo me deklaratat cinike dhe poshtëruese për njerëzit të lançojnë kritika ndaj tyre, por me përgjegjësinë që i ngarkon Kushtetuta. Ndërkohë heshtja e organeve ligjzbatuese, heshtja e organeve të drejtësisë, siç është Prokuroria apo SPAK, lë shijen e pakëndshme të mosndjekjes së interesit publik, por veprimit si me qershitë e Nostradinit.

Është një çështje pezull dhe mendoj se do të marrë peshë me fillimin e parlamentit në shtator dhe do të jetë një nga ato element meritojnë vëmendjen publike për t’u sqaruar dhe për t’i prerë rrugën në të ardhmen. Çdo kryetar Bashkie që firmos një kontratë për 5 vjet apo për 50 vjet siç ka ndodhur duhet të mbajë përgjegjësi.

Përgjegjësia përveçse institucionale përveçse politike, është edhe përgjegjësi penale, ku shkakton dëm pasuror. Askush të mos mendoj se do fshihet pas faktit se ka marrë një vendim kolegjial. Fakti që Gjykata Kushtetuese ndërhyri për ligjin e Teatrit, tregon se ka një tendencë për të sjellë standartet e kushtetueses dhe të funksionimit të shtetit të së drejtës.”

Intervistoi Beti Njuma, përgatiti për online Anila Kolgjini. 

EMISIONET