Forumi i Dhomës Amerikane të Tegtisë me Doganat: Të hiqen çmimet e referencës, metoda të prapambetura

Në forumin e organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë me bizneset dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, çmimi i referencave është evidentuar sërish një problematikë.

Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço, duke e cilësuar një metodë të prapambetuar kërkoi një zgjidhje përfundimtare.

"Dikush më tha: Zoti Jaço jeni bërë pak i mërzitshëm. Po pse i thashë? Sepse janë pak a shumë të njëjtat gjëra që keni diskutuar edhe dy vjet përpara. Por kur po lexoja atë raportin vura re se një nga çështjet kryesore vazhdon të jetë çmimi i referencave".

Gjatë takimit me bizneset e Dhomës Amerikane të Tregtisë drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli tha se gjatë këtij viti për 96% të raste të zhdoganimit nuk është përdorur referencë.

“Kemi ulur ndjeshëm përdorimin e çmimeve të referencës dhe kemi rritur përdorimin e transaksionit(marrjen parasysh të çmimit të faturës). Për periudhën janar-maj 2022 është regjistruar shifra më e lartë e përdorimit të transaksionit në rreth 96 % të rasteve, shumë pranë mesatares së Bashkimit Europian (98%). Rritja e përdorimit të transaksionit është një ndër prioritetet në strategjinë e faciliteteve ndaj biznesit, por sigurisht jemi këtu së bashku me kolegë të DP Doganave për të diskutuar të gjitha shqetësimet e anëtarëve të AmCham”.

Pavarësisht kësaj përgjigjeje, kryetarja e Komitetit të Taksave në Dhomën Amerikane të Tregtisë, Alketa Uruçi, theksoi se referencat janë problemi kryesor për të gjithë bizneset.

"Jemi çdo vit për të folur për çmimet referencë dhe ka një arsye pse flasim. Sepse ato vazhdojnë të aplikohen në kundërshtim me ligjin.Të gjithë kolegët që punojnë në doganë e dinë shumë mirë që aplikimi i çmimit referencë është metoda e gjashtë për rivlerësimin e vlerës së transaksionit."

Shërbimet online që ofrohen  përmes faqes e-Albania, përfshirë këtu edhe sistemin e doganave, ishte një tjetër problem i evidentuar në këtë forum të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë.

EMISIONET