Evazioni fiskal me incineratorët, Vasili: Shteti shqiptar është rrëmbyer nga mafia, Ibrahimaj duhej të jepte dorëheqjen
Nënkryetari I LSI-së Pterit Vasili është shprehur se shteti në Shqipëri drejtohet nga mafia dhe punon në interesa të saj.
Në një intervistë për Ora News, me gazetarin Arnold Kariqi, Vasili u shpreh se numri i kompanive të përfshira në aferën e incineratorëve është shumë i madh.
Më tej ai tha se skandali me incineratorët ka funksionuar me urdhër të qeverisë.
Petrit Vasili: Shteti në Shqipëri është rrëmbyer nga mafia, drejtohet nga mafia, telekomandohet nga ajo dhe punon për interesat e saj. Numri i kompanive të përfshira është një numër shumë i madh dhe një skemë të tillë, mafioze ne e kemi denoncuar që në Marsin e vitit 2021, pas denoncimit të parë të Kryemadhit. I gjithë skandali është i qartë, dhe ka funksionuar sepse është dhënë urdhër nga lart.
Vasili teksa ka komentuar deklaratën e ministres së Financave, Delina Ibrahimaj, ditën e sotme tha se kjo e fundit duhet të kishte dhënë dorëheqjen pas fakteve të publikuara për incineratorët.
Petrit Vasili: Ministrja e Financave duhet të ishte sot para publikut për të dhënë dorëheqjen. Pse rrinë këta. Duhet të qorohen, meqenëse nuk kontrollojnë dot financat shqiptare. Me këtë abuzim mafioz, këta duhet të ikin bllok nga i pari deri tek i fundit. Rama në sheshet e incineratorëve bënte film hollivudi.
Ai tha drejtësia duhet të vihet në punë për t’i dhënë sinjal mafies dhe shpresë shqiptarëve.
Petrit Vasili: Paratë e qeverisë vidhen me qeverinë e tij, dhe ky u krijon të gjitha mundësitë.
Një parti politike ka vënë në dispozicion ato që ka mundur. LSI ka vënë në dispozicion, i ka ndarë me publikun dhe drejtësinë. Drejtësia duhet të linte çdo gjë tjetër dhe duke bërë veprime të shkëlqyera të menjëhershme, të forta, do i kishte dhënë një sinjal jo vetëm mafies, por sinjal shprese shqiptarëve.