Energjia shqiptare më e shtrenjta në rajon, Duleviç: Rama mbron qytetarët në deklaratë televizive

Çmimi i energjisë elektrike në bursë ka pësuar rënie. Por pavarësisht kësaj, ekspertë thonë se edhe pse Shqipëria është vend prodhues, ajo ka çmimet më të shtrenjta të energjisë krahasuar me vendet e tjera të rajonit.

 

Enti Rregullator Energjetik i bindet sërish tekave të qeverisë “Rama” lidhur me çmimin e tregtimit me pakicë të energjisë elektrike.

Këtë të enjte ERE njoftoi se kishte pranuar vendimin e qeverisë që të mos prekej çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët, të paktën edhe për këtë muaj.

Një vendim i tillë mbështetet edhe nga inxhinieri i energjisë Azmer Duleviç, i cili thotë se aktualisht ka një stabilitet të çmimeve në bursë dhe është e pavend të ketë rritje çmimi.

"Ka një stabilitet përsa i përket çmimit të energjisë, jemi në kuotat 200 euro, 220 por edhe 160 euro megavatorë. Është e palogjikshme vendosja dhe aplikimi i fashës prej 800 kilovatorësh të paktën në këtë moment."

Për ta përkthyer në kilovat, Duleviç tregon se sa janë çmimet krahasuar me rajonin, duke patur parasysh që Shqipëria është prodhuese e energjisë elektrike.

"Ne kemi çmimin më të lartë të energjisë elektrike në rajon. Shqipëria një kilovatorë e ka me 9 cent, krahasuar me Kosovën e ka 6 cent kilovatorën, Bosnja 8.6 cent dhe Serbia 8.1 cent."

Këtë paqëndrueshmëri në qëndrime, kryeministri Edi Rama e argumenton duke thënë se qeveria që ai drejton po mbron qytetarët nga shtrenjtimi i energjisë elektrike.

Por a kemi të bëjmë me mbrojtje të qytetarëve nga ana e qeverisë, siç dhe thotë z. Rama?

"Thjesht me deklarata televizive po na mbron kurse konkretisht nuk kemi asnjë lloj mbrojtje."

Në prodhimin vendas, sektori energjitik shqiptar arrin të mbulojë vetëm 70% të konsumit, ndërsa na duhet ta importojmë pjesën tjetër në tregun e jashtëm.

EMISIONET