Edhe ISHP me tendera të dyshimtë, skualifikon ofertat e ulëta dhe shmang konkurrencën

Tenderat me procedura të dyshimta, vijojnë të jenë më të preferuarit për institucionet në vend. Këtë herë radha është e Institutit të Shëndetit Publik në Tiranë, i cili në 3 prokurimet e fundit, fitues ka shpallur ofertën më të lartë dhe në 2 prej tyre pa konkurrim.

Jo vetëm bashkitë e vendit, por tashmë edhe institucionet e tjera në varësi të qeverisë i shtohen listës së gjatë të institucioneve, që realizojnë tendera përmes procedurash të dyshimta.

Këtë herë është Instituti i Shëndetit Publik Tiranë, i cili në prokurimin e hapur së fundmi me objekt blerjen e kiteve, materialeve të konsumit dhe materialeve për laboratorët e ISHP, me vlerë 17 milionë lekë, ose rreth 148 mijë euro, tenderët i ka dhënë me procedura të dyshimta.

Ky prokurim është ndarë në 5 lote, ku 2 prej tyre janë zhvilluar pa garë, në njërin nga tenderët janë skualifikuar ofertat më të mira, ndërsa 2 të tjera janë anuluar.

Konkretisht në tenderin e parë për blerjen e kiteve për laboratorin e virologjisë, me vlerë 58 mijë euro, ka marrë pjesë vetëm subjekti “BIOMETRIC ALBANIA”, i cili është shpallur fitues pa garë. Ndërsa kompania fituese ka kërkuar sa 94.6% të vlerës së tenderit për të blerë kitet, për 12 muaj që nga nënshkrimi i kontratës.

Në tenderin e tretë për blerjen e reaganteve për testet e Covid-19, me vlerë 17 mijë euro, kanë marrë pjesë 3 kompani. Dy kompanitë që kishin ofertën më të mirë janë skualifikuar nga gara, ndërsa fituese është shpallur subjekti “KRIJON” e cila kishte me ofertën më të lartë.

Kjo kompani është shpallur fituese edhe në tenderin e pestë, i cili është për blerjen e kiteve të tjera me vlerë 10 mijë euro. Në këtë tender kompania fituese nuk ka pasur konkurrent tjetër, duke u shpallur kështu fituese pa garë. Në këtë tender, kompania fituese ka kërkruar sa 98.6% të vlerës së tenderit për të blerë kitët për 12 muaj ,që nga nënshkrimi i kontratës.

Ndërsa tenderi i dytë dhe i katërt janë anuluar, pasi sipas institucionit prokurues nuk është paraqitur asnjë ofertë.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

EMISIONET