Dokumentet / Ja si kamarieri Andi Ballta bleu Abi Bank me kapital 3 miliardë USD. Ku i gjeti paratë? Kush fshihet pas tij?
Banka Amerikane e Investimeve, me kapital 3 miliardë USD, është sot në pronësi të një mashtruesi, i cili ka punuar si kamarier në SHBA, një punë kjo e nderuar, por që nuk blen dot bankë sado që të marrësh bakshishe.
Banka Amerikane e Investimeve duhet të kishte një akronim shqip: BAI, por për t’i dhënë një kuptim amerikan, mashtruesi dhe mbulesa e parave të pista Andi Ballta, e quan bankën “American Bank of Investment” – ABI, gjoja një investim amerikan, siç bëri Bashkim Ulaj që sajoi kompaninë ‘amerikane’ me letra false DH Albania, duke përlarë 32 milionë euro para publike deri kur mediat zbuluan mashtrimin.
Nga kamarier dhe më pas punonjës i një banke në SHBA, Andi Ballta është bërë gradualisht pronar i kamufluar në masën 80 % i ABI Bank, përmes kompanisë Tranzit me nipt (K91624020M) dhe offshores Moscopole.
Bllata ka 100% të aksioneve të Moscopole, kompani e cila ka 80 % të aksioneve të Tranzit, e cila ka në pronësi 100 % Abi Bank.
Andi Ballta mburret në rrethet e ngushta me inicialet e bankës që mban inicialet e emrit të vet, ABI, një emër sot simbol i pastrimit të parave të pista dhe të kontrollit të një karteli kompanish ku përfshihen ABI Broker Sigurimesh, ABI Invest, Bursa Shqiptare e Titujve ALSE, Regjistri Shqiptar i Titujve ALREG dhe Banka NBG Albania, secila me histori më vete mashtrimi dhe punësh të zeza, me rritje kapitali në mënyrë të dyshimtë dhe qarkullim parash të pista në vlerë dhjetëra milionë euro.
Këtë kartel, ish kamarieri Andi Ballta e kontrollon përmes një rrethi të besuar, ku bëjnë pjesë Veronika Prifti, Niko Kotonika, Nada Vokshi, Milbana Treska, Armand Muharremi, Brunilda Papa, Edmond Coku, Lindita Rama, Odeta Paloka, Igli Sulaj, Elvin Meka, bosja e call centerave Ines Muçostepa, Brikena Hoxha, Teuta Çinari etj.
Si u bë kamarieri pronar i 2 bankave?
Në 2015 Tranzit bleu 100 % Abi Bank për 67 milionë euro, përmes manovrave në offshore.
Në 3 korrik 2018, ABI Bank blen për rreth 76 milionë USD Bankën NBG Albania, ish degë e Bankës Kombëtare të Greqisë.
Tre javë më pas, në 16 korrik 2018, NBG Bank përthithet nga ABI Bank, duke krijuar një mullar me para të pista, 143 milionë USD, pa asnjë burim të ligjshëm.
Më pas, Andi Ballta blen gradualisht Abi Bank, përmes Moscopole dhe Tranzit. Në vitin 2021, Ballta arrin të bëhet përfundimisht pronar në masën 80 % i ABI Bank.
Të gjitha këto dallavere janë miratuar nga Banka e Shqipërisë me në krye Gent Sejkon, kunati i të cilit kontrollon një bankë.
Po ku i gjeti ish kamarieri dhjetëra milionë USD për të futur në duar dy banka, të shkrira më pas në një me kapital sa gjysma e buxhetit të shtetit shqiptar?
Janë para korrupsioni, droge apo të dyja bashkë? Kush fshihet pas tij?
A kanë përfunduar si kapital tek ABI Bank çantat me para të vjedhura me tendera dhe koncensione në Shqipëri, gjatë viteve të fundit?
Si ka mundësi që nuk i bën përshtypje SPAK-ut ky fakt, kur një mashtrues arrin të hedhë dhjetëra miliionë euro, ndërkohë që ka bërë një hetime të thelluara për një kanal, arkë peshk apo një autokombanjë?
Nëse një qytetar kalon 10 mijë euro në llogari bie alarmi dhe duhet të japë shpjegime për burimin. Nga ana tjetër, një ish kamarier në SHBA nxjerrë thasët me dhjetëra milionë euro dhe askush nuk e verifikon.
Ndërkaq, veprimet dhe finalizimi i qarkullimit të parave të pista janë bërë tek noterja Mimoza Sadushaj, Mimiza Xhafaj dhe kunati i parë i Arben Ahmetajt.
ABI Bank ka një kapital me rreth 3 miliard $ dhe pronar ka një aksioner të vetëm, “Tranzit” sh.p.k.
Administrator i Tranzit prej vitit 2019 është vajza e tezes së Andi Balltës, Kristina Naumi, e cila në moshën 30 vjeçare me eksperiencë “parukerie”, emërohet nga “aksionerët” e Tranzit administratore që të menaxhojë një portofol miliarda dollarë.
Ortakët e Tranzit janë Nch Balkan Fund L.P që ka 10 %, nga ishujt Kajman, New Century Holdings XI, L.P” me 10% nga ishujt Kajman dhe “Moscopole” me 80 % nga shteti Delawere, parajsa fiskale.
Praktikisht lekët e shqiptarëve të depozituara në Abi Bank, “strehohen” në Parajsat e Offshorit më të njohura të botës, siç janë ishujt Kajman dhe Delawere.
Çfarë është “Moscopole Inc” e krijuar në SHBA?
Kjo është një shoqëri që ka për drejtor dhe pronar Andi Balltën, paçka se ustallarët realë pas tij, i di vetëm mashtruesi i vogël Andi Ballta.
Si një kamarier i shkathët, Ballta manovron me aksionet e Tranzit, njëherë duke hequr emrin e tij dhe e kalon shoqërinë në 100% si të huaj, herën tjetër duke firmosur po vetë, sikur ka kontribuar në shoqërinë amerikane Moscopole Inc me aksionet e veta.
Manovrat e trasha të “kamarierit” Ballta nuk i sheh as Banka e Shqipërisë, as Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave, e as Shërbimi Informativ Kombëtar.
ABI Bank që mban rreth 3 miliard $ kursime të shqiptarëve, është krijuar në 1999, si Banka Ndërkombëtare Tregtare e Detit të Zi, themeluar nga Banka Tregtare e Greqisë sh.a, që më vonë e quajt Emporiki Bank.
Në vitin 2012 u mor nga lub Holding, një kompani franceze që ia ndryshoi emrin në Banka Crédit Agricole Shqipëri.
Në tetor 2015, del në skenë “amerikani” Andi Ballta, që emërohet Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Bankës, moment kur largohen nga drejtimi të gjithë francezët.
Kapitali i bankës blihet 100% nga Tranzit për 67 milion $ me para “offshore” dhe emri bëhet Banka Amerikane e Investimeve.
ABI Bank, që në të vërtetë është mashtrimi offshore “Tranzit”, u mor në drejtim nga Ballta dhe mantenuta e tij Brikena Hoxha.
Të dy dashnorët me pasaporta amerikane prej lotarisë amerikane, Ballta dhe Hoxha erdhën në Shqipëri të caktuar për operacionin e madh “offshore” nga përtej detit.
Çifti i kamarierëve shqiptarë në New York u bënë bankierë të shquar “amerikanë” në Shqipëri.
Tranzit ka mashtruar me mijëra njerëz me telefonatat që kërkonin para nga borxhet e vjetra të AMC, Albtelekom, deri te grabitja e pronave të ish-bankës “Veneto”, nëpërmjet SGA spa ose AMCO.
Mashtrimi Tranzit i ishujve Kajman dhe SGA, AMCO e Italisë ka gllabëruar dhjetëra prona shqiptarësh të vendosura si kolaterale të Banka Veneto e falimentuar disa vite me parë. Pronat kthehen në para nga shoqëritë e lidhura me Tranzit e Abi Bank, më pas fluturojnë në Delawere apo Kajman Island.
Mashtrimi “Ballta”, me Tranzit ka gëlltitur miliona para shqiptarësh të varfër, duke i çuar ato në ishujt ekzotikë ku fshihen të tjerë shqiptarë, dhe jo amerikanë, si përpiqet të shitet logo-ja- “American Bank of Investment”.
Pas “pelivanit” Ballta ka të lidhur me një zinxhir interesash mafioze, deputetë, avokatë, qeveritarë e biznesmenë që do dalin shumë shpejt përballë dhjetëra apo qindra të mashtruarve nga skema Tranzit-Offshore-Abi Bank.
Burimi: Prapaskena.com