Buxheti i “luftës”, para ushtrisë dhe shëndetësisë

Qeveria Rama me buxhetin e vitit të ardhshëm blindon me para Forcat e Armatosura dhe Shëndetësinë. Të dy Ministritë do të jenë të angazhuara në betejë, ku për spitalet jepen 5.6 miliardë lekë më shumë, ndërsa për mbështetjen në luftime shtesa shkon në 7.6 miliardë lekë më shumë. Në të kundërt me to tkurret buxheti për Ministria e Financave dhe atë të Infrastrukturës. Sa i përket institucioneve qëndrore, Presidenca mban thuajse të njëjtin fond e më pak Kryeministria e Kuvendi.

Vitin e ardhshëm institucionet qendrore do të kenë në dispozicion 24 miliardë lekë më shumë krahasuar me vitin aktual. 

Nga tabelat e detajuara të buxheti të shtetit që po diskutohet në parlament është Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Shëndetësisë do të kenë shtesat më të larta të dyja të angazhuara në dy beteja të ndryshme. 

Rreth 7.6 miliardë lekë i shtohen Ushtrisë në mbështetjen e luftimit por shtesë ka edhe për Emergjencat Civile. 

Më tej është Ministria e Shëndetësisë që do të ketë në dispozicion rreth pesë miliardë lekë më tepër.

Investimet parashikohen në spitalet rajonale por edhe në shëndetin publik. 

Edhe arsimi renditet në sektorët që kanë marrë më shumë para dhe me rritjen 3.4 miliardëshe vëmendja shtohet te arsimi bazë dhe ai universitar.

Sa i përket drejtësisë SPAK-ut do ti jepen 500 milionë lekë më shumë në vitin e ardhshëm, ndërsa dyfishohet dhe fondi i dhënë Ministrisë së Drejtësisë për kompensimin e pronave. 

Kultura duket se do të dalë nga regjimi i pandemisë, pasi Qeveria ka vendosur të shtojë dhe 1.3 miliardë lekë që do të jepen për artin.

Rritje njohin dhe Ministria e Jashtme, e Brendshme dhe turizmi nga 300 milionë deri në 650 milionë lekë.

Pavarësisht debateve, Presidencës në vitin 2022 do ti jepen 420 mijë lekë më shumë.

Në të kundërt është Kryeministria që do të ketë 300 milionë lekë më pak vitin e ardhshëm dhe me 69 milionë tkurret dhe Kuvendi.

Sa i përket infrastrukturës krahasuar me vitin e shkuar, fondet do të jenë 2.4 miliardë lekë më pak, por nga rishpërndarja përfitojnë shtesë hekurudha dhe kanalizimet.

Gjithashtu edhe Ministria e Financave tkurret me 3.2 miliardë lekë.

Ndërkaq në reformë futet dhe Ministria e Bujqësisë, pasi nga buxheti do ti hiqen 243 milione lekë.

Në rishikimin e fondeve thuajse është dyfishuar shuma e vënë në dispozicion për subvencionimin e prodhimeve dhe deri në tregtimin e mallrave.

Megjithatë pas miratimit në parim të buxhetit, institucionet në Komisione mund të kërkojnë fonde shtesë për investimet.

EMISIONET