Breda 3-mujorit të parë të 2025, emetohet eurobondi i ri prej 600 milionë eurosh
Qeveria pritet të dalë sërish brenda tremujorit të pare të 2025-ës në tregjet e kapitalit dhe të kërkojë 600 milionë euro.
Ministria e Financave ka nisur përzgjedhjen e institucioneve ndërkombëtare të cilat do ta asistojnë qeverinë shqiptare në emetimin e eurobondit përgjatë vitit 2025.
Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot në seancën dëgjimore që u mbajt në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave mbi projektbuxhetin për vitin 2025 se eurobondi i vitit 2025, i cili parashikohet të emetohet në vlerën 600 milionë lekë do të shkojë për të mbuluar eurobondin e vitit 2018, i cili maturohet në tetor të 2025.
“Pritshmëritë tona do të jenë që normat e interesit për këtë eurobond në fillim të tremujorit të parë do të jenë më të ulëta se borxhi i marrë në vitin 2023, nëpërmjet ankandit të fundit të eurobondit që kemi kryer. Po ashtu presim që në vazhdimësi eurobondi apo huatë që do të merren, duke u nisur dhe nga tendenca e tregjeve ndërkombëtare, ku normat e interes janë me ulje, financimi i këtij borxhi të bëhet me norma më të ulëta interesi, sesa kanë qenë në 2 vitet e fundit”, u shpreh kreu i financave publike.
Kjo do të jetë hera e shtatë që vendi ynë i drejtohet tregjeve ndërkombëtare të kapitalit me instrumentin e eurobondit.
Eurobondi i parë është emetuar në vitin 2010 (me vlerë 300 milionë euro, maturim 5-vjeçar dhe interes 7.5 %) dhe është shlyer në vitin 2015.
Eurobond-i i emetuar në vitin 2015 (me maturim 5-vjeçar), ishte në vlerë prej 450 milionë eurosh dhe me një normë interesi 4.75 %.
Eurobond-i i emetuar në vitin 2018, ishte në vlerën prej 500 milionë euro, me maturim 7-vjeçar dhe normë interesi 3.5 %.
Shqipëria mbylli në mesin e muajit nëntor 2021 daljen e saj të pestë në tregjet e kapitalit me një eurobond prej 650 milionë euros me një kupon prej 3.50% me interes 3.75%.
Në mesin e muajit qershor të vitit 2023, Shqipëria emetoi një eurobond me vlerë 600 milionë euro me një 5.9 %. Norma e interesit ishte më e lartë se eurobondi i emetuar në vitin 2021, si pasojë e kushteve të shtrënguara të financimit ndikuar nga agresioni rus në Ukrainë.