Borxhet çojnë bashkitë në vështirësi, Haxhi: S'duhet të shpenzojnë për dy vite që të shlyejnë 7 mld lekë

Bashkitë në vend kanë thelluar detyrimet e prapambetura duke shkuar në 7 miliardë lekë për vitin 2020. Pavarësisht kësaj situatë, kryetarët e Bashkive kanë marrë edhe kredi por jo për investime por për shtimin e personelit. Në këtë situatë shoqëria civile kërkon ndryshimin e sjelljes në përdorimin e parave.

Bashkitë e vendit kanë krijuar një faturë të lartë të detyrimeve të prapambetura gjatë vitit 2020 duke shfaqur vështirësi financiare.

Ish-zëvëndës ministri i Financave dhe Ekonomisë, Elton Haxhi, e konsideron absurde këtë situatë dhe sipas tij kjo problematike i referohet ndryshimeve të reformës territoriale.

"Ka shumë dyshime që bashkitë e fryjnë buxhetin e të ardhurave vendore të parashikuara për tu dhënë mundësi për të çelur prokurime të reja. Nga të dhënat këtu do të thotë që ato nuk duhet të bëjnë asnjë shpenzim për dy vjet në mënyrë që të shlyejnë detyrimet që kanë tani. Është një situatë komplet absurde dhe kjo mund të vijë edhe si rrjedhojë e problemeve që ka pasur reforma territoriale."

Por kriza në të cilën ndodhen nuk i ka penguar të rrisin me 5.6% shpenzimet për personelin.

Për këtë Adelina Farrici rekomandon që këto fonde të shkojnë drejt investimeve.

"Kemi një rritje të shpenzimeve për 2020. Nuk është e pranueshme të kemi shpenzime koherente për personelin, duhet të shkojë drejt rritjes së shpenzimeve në funksion të investimeve".

Sipas raportit të prezantuar nga Co-PLAN një problematikë shqetësuese mbeten edhe shumat e prokuruara në tenderat publikë.

Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se stoku i borxhit për 61 bashkitë në vend gjatë vitit 2020 arriti në 7 miliardë lekë.

Bashkia e Tiranës mban vendin e parë me një total detyrimesh prej 761 milionë lekësh, ndjekur më pas nga Kavaja me 727 dhe Vora me 702.

Por ndonëse renditet e treta, bashkia e Vorës rezulton më problematikja pasi është me paaftësi paguese, tregon raporti.

EMISIONET