Borxh edhe për kovidin. Qeveria s'paguan dot as orët shtesë të mjekëve. Kërkon 60 mln euro

Qeveria parashikon të marrë 60 milionë euro hua nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës për menaxhimin e situatës së pandemisë COVID-19.

Përmes kësaj kredie do të financohet punësimi shtesë i mjekëve, infermierëve dhe blerja e vaksinave, duke përfshirë edhe koston e transportit dhe magazinimit të tyre.

Në relacionin bashkëngjitur projektligjit të depozituar tashmë në Kuvend, bëhet me dije se nëpërmjet kredisë në fjalë do të sigurohen edhe fondet e nevojshme për pagat e punës jashtë orarit të personelit mjekësor dhe jomjekësor, që shërbejnë për trajtimin e pacientëve me Covid-19.

Po ashtu përcaktohet se huaja do të përdoret dhe për blerjen e pajisjeve mjekësore, sigurimin e medikamenteve dhe kiteve diagnostikuese për koronavirus e pajisjeve mbrojtëse.

Në pr/ligj për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë në shumën e 60 mln eurove thuhet se do të përdoret si mbështetje buxhetore për financimin e sektorit të shëndetësisë mbrojtjen e shëndetit publik, parandalimin dhe reagimin ndaj rrezikut që paraqet covid -19.

Huaja që do të akordohet është me afat maturimi 15 vjet ndërsa norma interesit do të përcaktohet mbi bazën e tregut në momentin e disbursimit.

Ky instrument do të përdoret dhe për rehabilitimin e përshatjen e spitaleve për trajtimin e të infektuarve me koronavirus.

Për 2020 janë shpenzuar rreth 43 miliradë lekë për sektorin e shëndetësisë.

Ndërsa për 2022 qeveria do të alokojë 2.7 miliardë lekë vetëm për programin e vaksinimit anticovid të popullatës.

Borxh edhe për kovidin. Qeveria s'paguan dot as orët shtesë

EMISIONET