BE zgjat sanksionet ndaj Rusisë në 31 korrik 2023
Bashkimi Europian zgjati afatin e sanksioneve ndaj Rusisë deri në 31 korrik ndërkohë që Ukraina ka denoncuar përdorimin e raketave me simulator bërthamor në sulmet e fundit. Sipas shtabit ukrainas raketat e modifikuara në këtë mënyrë bëhen më të pakapshme nga sistemet kundërajrore ndërkohë që bombardimet masive kanë vijuar në disa rajone edhe të premten.
Këshilli i Bashkimit Evropian ka zgjatur për gjashtë muaj të tjerë sanksionet kundër Rusisë të vendosura për shkak të luftës në Ukrainë. Kufizimet ndaj sektorëve të ekonomisë ruse janë zgjatur deri më 31 korrik 2023. Masat e vendosura nga BE,
Përbëhen nga një gamë e gjerë ndalimesh duke përfshirë kufizime në tregti, financa, teknologji dhe mallra me përdorim të dyfishtë, industri, transport dhe mallra luksi. Ndërkohë Ukraina ka akuzuar Rusinë se ka përdorur raketa me simulator bërthamor ditët e fundit në sulmet ndaj zonës së Kievit.
Botimi ushtarak ukrainas Defense Express shkruan se një raketë e tillë u rrëzua në zonën e quajtur Boryspil në juglindje të Kievit, gjatë një sulmi masiv nga Federata Ruse.
Raketa ruse e emërtuar X-55 sipas zëdhënësit të forcave të armatosura të ukrainës përdoret me simulator bërthamor për të devijuar sistemet antiraketë duke rritur kështu shanset për goditjen e objektivave. Të premten Ministria e Mbrojtjes e Rusisë komentoi sulmin e një dite më parë ndaj Ukrainës me raketa dhe dronë, ku humbën jetën 11 civilë .
Moska pretendon se goditi objektet energjetike që "sigurojnë funksionimin e kompleksit ushtarako-industrial dhe të sistemit të transportit të Ukrainës".
Por nga ana tjetër Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës deklaroi se nga 70 raketa të lëshuara, 47 prej tyre u shkatërruan.
Ndërkohë edhe të premten ushtria ruse ka vijuar sulmet ky në rajonin Donetsk, dy persona mbetën të vrarë dhe të paktën pesë u plagosën si pasojë e bombardimeve.
Zyrtari lokal Donetsk Pavel Kirilenko tha se predhat ruse dëmtuan një duzinë shtëpi, institucione dhe ndërtesa administrative, si dhe automjete. Po kështu rusët sulmuan një stacion zjarrfikës në Ukrainën lindore ku disa punonjës janë plagosur dhe dy prej tyre kanë përfunduar në spital.