Dyshime për tenderin e Bashkisë Tiranë: 2.6 mln euro për blerje pemësh në Pyllin Orbital

Tenderi prej 2.6 milionë euro i Bashkisë Tiranë për blerje pemësh, është denoncuar në Komisionin e Prokurimeve Publike. Në ankesë thuhet se në tender janë vënë kritere në shkelje të ligjit, për të favorizuar kompaninë e preferuar.

Tenderi i Bashkisë së Tiranës që kishte për qëllim blerjen e pemëve dekorative për Pyllin Orbital dhe zonave të ndryshme të Tiranës, me vlerë 300 milionë lekë ose 2.6 milionë euro, është denoncuar në Komisionin e Prokurimeve Publike.

Ankesa është bërë nga një kompani që mesa duket është interesuar që të marrë pjesë në garë, por që ka hasur në kritere që sipas ankesës janë në shkelje të ligjit dhe, duke nënkuptuar kështu se fituesi është i paracaktuar.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Kështu në ankesën e saj, kompania ndër të tjera thekson se në kriteret e kërkuara nga institucioni që ka bërë tenderin, që në këtë rast është Drejtoria e Përgjithshme e Pastrim Gjelbërimit në Bashkinë e Tiranës, ka kërkuar që operatori ekonomik që do të marrë përsipër tenderin të ketë 150 punëtorë për vendosjen mbjelljen e 1058 pemëve brenda 15 ditëve dhe do të punohet me dy turne.

Kështu sipas një llogarie të thjesht, rezulton që 1 punëtor do të mbjellë vetëm 7 pemë në ditë dhe që kompania ankimuese e cilëson si një kërkesë absurde.

Por më absurdja qëndron në faktin që edhe pse në raportin e fundit të KLSH thuhej se projekti i Pyllit Orbital ka dështuar për mungesë financimesh dhe për mungesë të hapësirave për të mbjellë pemë, institucioni që drejtohet nga Veliaj vijon të bëjë tendera miliona lekësh për të blerë pemë pak muaj para zgjedhjeve.

Dhe serioziteti me këtë projekt shihet edhe në ankesën e bërë në KPP, ku më shumë se për t’i shtuar gjelbërimin Tiranës, u shërbehet kompanive të preferuara të Bashkisë Tiranë.


Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

EMISIONET