Banka e Shqipërisë: Ekonomia në rritje, stabiliteti financiar i qëndrueshëm

Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, veprimtaria e sistemit financiar vazhdoi ecurinë pozitive. Pavarësisht efektit pakësues të mbiçmimit të kursit të këmbimit, në sektorin bankar depozitat u zgjeruan dhe ritmi i rritjes së kredisë u përshpejtua.

Në terma vjetorë, kredia u zgjerua me 11.1%, ndërsa në krahasim me fundin e vitit 2023, ajo u rrit me 7.1%.

Sipas Bankës Qendrore, rezistenca e veprimtarisë bankare ndaj rreziqeve ishte e mirë, në kushtet kur kapitalizimi i veprimtarisë mbeti i qëndrueshëm dhe fitimi vijoi të përmirësohej me ritme të kënaqshme.

Sa i takon ekonomisë, ajo vijoi rritjen gjatë periudhës dhe, në fund të tremujorit të parë, rritja ekonomike vjetore shënoi 3.6%.

“Zhvillimet ekonomike gjatë periudhës ishin pozitive, ndikuar nga ecuria e mirë e konsumit dhe e investimeve, si edhe që qëndrueshmëria e performancës së turizmit. Ndërkohë që rritja ekonomike u shoqërua me rritje të punësimit e të pagave dhe ulje të normës së papunësisë”, thekson BSH-ja.

Banka e Shqipërisë vëren se, gjendja financiare e familjeve dhe e bizneseve vlerësohet e përmirësuar gjatë periudhës. Ndërsa politika fiskale ruajti prirjen konsoliduese në kushtet e rritjes së ndjeshme të të ardhurave fiskale. Presionet inflacioniste vijuan të bien dhe norma e inflacionit zbriti nën objektivin e Bankës së Shqipërisë, duke sjellë uljen prej saj të normës bazë të interesit.

Por sipas BSH-së, rreziqet për zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend mbeten të pranishme.

Sipas BSH-së ato burojnë kryesisht nga pasiguria që mbartin zhvillimet gjeopolitike, por mund të zhvillohen edhe në kushtet e një optimizmi që shoqërohet me veprime të pakujdesshme nga ana e agjentëve ekonomikë.

Në këto kushte Banka Qendrore, vlerëson se të gjithë agjentët e ekonomisë kanë mundësinë ta shfrytëzojnë këtë periudhë të veprimtarisë për të konsoliduar bilancet e tyre financiare, për të përmirësuar kapacitetet administruese në përgjithësi dhe të rreziqeve në veçanti, si edhe për të rritur eficiencën e veprimtarisë.

EMISIONET